Ka ndodhur

Zbulohet vila për kultivimin e kanabisit në Fier, në pranga edhe dy punonjës të OSHEE

Gazeta Si – Tre persona kanë rënë në pranga këtë të martë, pasi kanë përshtatur një vilë 3 katëshe në “shtëpi bari” në Fier.

Të arrestuar janë pronari i vilës, i cili kishte përshtatur 5 dhomat e njërit kat për kultivimin e bimëve narkotike, si edhe edhe faturisti dhe elektricisti i OSHEE-së, me këta të fundit që akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Policia ka sekuestruar 181 bimë narkotike të cilat ishin kultivuar në vazo që u gjetën brenda ambienteve të përshtatura me llamba, dhjetëra llamba dhe pajisje të tjera elektrike që ishin instaluar në 5 ambientet e banesës. Gjithashtu, u bë bllokimi i vilës 3-katëshe ku kultivoheshin bimët narkotike.

Policia thotë se janë arrestuar: E.M. alias Xh.G., 44 vjeç, banues në Dërmënas, Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Ky shtetas është pronari i vilës në të cilën policia zbuloi 5 ambientet e përshtatura për kultivim të bimëve narkotike;

Si dhe: K.G., 40 vjeç, banues në Fier, me detyrë faturist i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

-B. F., 47 vjeç, banues në Fier, me detyrë elektricist i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë