Drejtësia

Lefter Koka dhe Alqi Bllako kërkojnë t’u hiqen akuzat për inceneratorin e Elbasanit. Shtyhet seanca paraprake

Gazeta Si - Pas 6 orësh seancë, Gjykata e Posaçme vendosi shtyrjen për në datën 21 shkurt të vendimit për dosjen e inceneratorit të Elbasanit.

Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në gjykatë materialet e procedimit penal ndërsa togat e zeza do të vendosin nëse do të hapin procesin apo do ta kthejnë dosjen për plotësim hetimesh.

Në seancën e të martës avokatët kundërshtuan akuzat e prokurorisë ndaj të pandehurve, ndërsa gjykata rezervoi disa ditë kohë deri në shpalljen e vendimit.

LEXO EDHE:
- Afera me inceneratorët, GJKKO rikthen Alqi Bllakon në qeli pas kërkesës së SPAK-ut
- Lefter Koka, mbi 3 orë dëshmi para SPAK-ut: Kam zbatuar ligjin, kompanitë për Fierin nuk i njoh

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, tetë anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave, së bashku me avokatët përkatës kanë deklaruar pafajësi për këtë çështje.

Koka në seancën me dyer të mbyllura ka thënë se ky proces është i montuar dhe akuzat ndaj tij janë politike. Avokati i tij ka kërkuar që të pushohen dy akuzat në ngarkim të zyrtarit më të lartë që merret në akuzë për këtë çështje. Pra, të pushohet akuza e shpërdorimit dhe ajo e pastrimit të parave.

Aqi Bllako, i cili akuzohet për shkak të detyrës që ka mbajtur si sekretar i Përgjithshëm dhe si zyrtari më i lartë sa i takon procedurave për thirrjen për koncesion pa kryer procedurat e duhura, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë rol dhe se të gjithë koncesionin e kanë thirrur anëtarët e komisionit, por, shton ai, edhe këta të fundit kanë zbatuar ligjin dhe nuk kanë thyer asnjë rregullore.

Për këtë çështje, SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në gjykatë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ish-deputetin Alqi Bllako, dhe të akuzuarit tjerë Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k, si dhe shoqëria “Integrated Technology Services”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë