Mode

Katër fustanet e Chiara Ferragnit në Sanremo që dhanë mesazhe

Chiara Ferragni i dha mesazhet që donte të jepte përmes veshjeve në natën e parë të Sanremo-s.

Ferragni u ndërrua 4 herë dhe jo sepse donte të vishte sa më shumë fustane. Fustanet e saj ishin një mesazh për të gjithë.

Të gjitha veshjet e saj Ferragni i shpjegoi në Instagram me detaje ku tregoi se në bashkëpunim me Dior arriti të kthente në fustane idetë e saj.

Fustani Manifest

Maria Grazia Chiuri, drejtoreshë kreative e Dior, shpesh ka lançuar mesazhe feministe përmes veshjeve të saj.

Ideja e fustanëve të Ferragni lindi nga një bisedë mes dyshes artistike Fulvia Carnevale dhe Claire Fontaine dhe rezultati ishte një fustan bardh e zi.

“Mendo e lirë” është mesazhi që Ferragni dëshiron të dërgojë me këtë fustan.

Ajo dëshiron të shtyjë të gjitha gratë të ndihen të lira të dalin nga roli që u imponon shoqëria. Me pak fjalë, një dedikim për gratë që thjesht duan të ndihen vetvetja pa u gjykuar.

Fustani “Kafazi”

Mesazhi i këtij fustani është “Çlirimi i gjeneratave të reja nga stereotipet gjinore, nga të cilat shpesh vajzat dhe gratë ndihen të mbyllura në kafaz”.

Fustani u krijua nga Dior ku sipër jumpsuit-it është një tyl me diamantë. Ferragni thotë se është një shpresë për vazjat e sotme që do të jenë gratë e së nesërmes.

“Kjo është dëshira e një nëne për vajzën e saj, që më fund të mund të bërtasë “Fitore”. Ferragni ka pozuar bashkë me vajzën e saj Victoria, emri i së cilës do të thotë fitore.

Fustani kundër urrejtjes

Me këtë fustan nga salla e Ariston, Chiara Ferragni iu përgjigj të gjithë atyre që vazhdimisht e kritikojnë për pamjen, trupin dhe mbi të gjitha lirinë e saj për t’u ndjerë grua, përveçse nënë. Frazat e përbuzjes të qëndisura me perlat e zeza ishin disa nga fyerjet që ajo merr çdo ditë.

“Fustani i paturpshëm”

“Rikthimi i vëmendjes te të drejtat e grave, dhe trupat e tyre për fat të keq, ende vihen në diskutim. Ky është qëllimi pas kësaj pamjeje”, shkruan në Instagram Ferragni duke shpjeguar zgjedhjen e saj.

Fustani prej tyli është punuar nga Dior dhe ngjyra prej mishi riprodhon me një qëndisje trupin e Chiara Ferragni-t, natyrale dhe e çliruar nga ai turp që në një moment e ka ndjerë çdo grua.

“Ky iluzion i lakuriqësisë ka për qëllim t’u kujtojë të gjithëve të drejtën dhe barazinë gjinore pa pasur nevojë të ndihen të gjykuar apo fajtor. Ky iluzion i lakuriqësisë ka për qëllim t’i kujtojë kujtdo se nëse vendos të tregohesh, apo të ndihesh seksi nuk i jep të drejtë askujt për të justifikuar dhunën e burrave ndaj grave apo për ta zbutur atë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë