Mendim

Austria, e para në BE që lobon ndryshimin e kufijve të Kosovës

Edhe pse mbështeti me forcë dhjetë vite më parë pavarësinë e Kosovës, Austria duket se është bërë zyrtarisht vendi i parë i Bashkimit Europian që ka dalë pro ndryshimit të kufijve të saj.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz deklaroi të martën gjatë një vizite zyrtare në Kosovë se Vjena do të mbështesë çdo marrëveshje që arrihet midis Prishtinës dhe Beogradit, edhe nëse ajo përfshin ndryshime kufijsh apo shkëmbime territoriale. Me anë të kësaj lëvizjeje të papritur politike, kancelari austriak është kthyer kështu në aleatin më të madh të Presidentit Hashim Thaçi dhe tezës së tij për ‘korrigjim kufijsh’.

“Unë kam një qëndrim të qartë, qeveria federale e Austrisë pajtohet me çdo marrëveshje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Askush nuk duhet të jetë kundër kësaj marrëveshje”, tha Kurz gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Thaçin. Kancelari austriak, vendi i të cilit mban aktualisht presidencën e BE-së, theksoi se nuk do të ketë stabilitet në rajon dhe as perspektivë europiane pa një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz dhe Presidenti Hashim Thaçi

“Vetëm një marrëveshje paqeje mes dy vendeve do të mund t’i hapte rrugë anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian”, tha Kurz. “Marrëveshja e arritur do të ketë mbështetjen tonë, edhe nëse do të përfshijë ndryshime kufijsh”, shtoi kancelari duke shkaktuar jo pak habi mes gazetarëve të pranishëm në konferencë.

Kancelari austriak shkoi edhe më tej dhe sfidoi vullnetin politik të Gjermanisë, duke bërë thirrje që Bashkimi Europian të mos bëhet pengesë për arritjen e një pakti mes Beogradit dhe Prishtinës. Edhe pse nuk iu referua asnjë shteti në veçanti, kancelari 31-vjeçar duket se i referohej në mënyrë të tërthortë fqinjit të Austrisë dhe shtetit më të fuqishëm ekonomik të BE-së: Gjermanisë. Mbështetja e Vjenës për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë  u sinjalizua në fakt dy muaj më parë, kur Thaçi dhe Vuçiç mbajtën një samit të përbashkët në Alpbach të Austrisë, kur hodhën zyrtarisht në tavolinë tezën për “korrigjim kufijsh”.

Megjithatë deklarata e tij të martën erdhi si një sfidë e vërtetë ndaj Berlinit zyrtar, pasi vetëm disa ditë më parë kancelarja gjermane konfirmoi edhe njëherë se ishte kundër “prekjes” së kufijve të Kosovës. Në një letër dërguar në fillim të nëntorit liderit të opozitës, Isa Mustafës, Merkel shkruante se Gjermaninë e shqetësonte lobimi ndërkombëtar për çdo marrëveshje që ndryshon kufijtë e shteteve ballkanike.

 Angela Merkel dhe Sebastian Kurz 

“Nga këndvështrimi im është shumë e rëndësishme që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë me ndërmjetësim e Bashkimit Europian dhe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve. Debatin rreth ndryshimit të kufijve edhe unë, sikurse ju, po e përcjell me shqetësim të madh”, thuhej në letrën e kancelares gjermane.

Edhe pse duket mjaft komod në praninë e Kurz, presidenti i Kosovës ka pasur disa përplasje të njëpasnjëshme me Gjermaninë. Përplasjet arritën kulmin disa javë më parë, kur diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger deklaroi se gjatë një konference sigurie në Ukrainë,  Thaçi kishte kritikuar Gjermaninë për qëndrimin e saj kundër ndryshimit të kufijve. Kjo është hera e parë që SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca nuk kanë arritur në një konsensus rreth Kosovës dhe Serbisë. Franca dhe SHBA-ja kanë mbajtur një qëndrim më tolerant, duke i bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës të gjejnë një kompromis të përbashkët, ndërsa Gjermania dhe Britania e Madhe kanë kundërshtuar kategorikisht ndryshimin e kufijve. Por ekuilibrat brenda BE-së kanë të ngjarë të ndryshojnë tani që në lojë është futur edhe Austria, e cila po përpiqet të ushtrojë më shumë ndikim brenda oborrit ballkanik.

Kurz kundër heqjes së vizave dhe ushtrisë së Kosovës

Edhe pse u shfaq mjaft i hapur për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Sebastian Kurz nuk ishte aq “tolerant” ku ra fjala tek liberalizimi i vizave për Kosovën

Kancelari austriak, Sebastian Kurz dhe Presidenti Hashim Thaçi

“Unë do të isha i kujdesshëm me pritshmërinë për heqjen e vizave, veçanërisht lidhur me kohën kur mund të ndodhë një gjë e tillë,” tha Kurz gjatë konferencës me Hashim Thaçin. Ai i garantoi kreut të Kosovës se ky është një prioritet absolut për vendin, por theksoi se sundimi i ligjit është edhe me rëndësishëm.

“Kosova ka përmbushur kërkesat formale. Tanimë, topi është në duart e ministrave të brendshëm të BE. Sa më shpejt të bëhet, aq më mirë”, iu kundërpërgjigj Thaçi.

Por Kurz u shfaq edhe më skeptik mbi përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të ndërtuar ushtrinë e saj. Kancelari austriak deklaroi se priste që Prishtina “të zhvillonte dialogun e duhur me të gjithë partnerët”. “Duhet të jeni shumë të kujdesshëm këtu”, tha Kurz. Duhet të ndërmerrni hapa që do të siguronin më shumë stabilitet dhe jo paqëndrueshmëri në rajon”, deklaroi ai.

Thaçi shprehu nga ana tjetër shpresën se vizita e Kancelarit në Serbi dhe Kosovë mund të jetë “një shtysë” për dialogun mes dy vendeve. Dialogu i drejtuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës është ngrirë që nga fillimi i shtatorit pasi ende nuk ka asnjë datë të re për vazhdimin e bisedimeve.


Kancelari austriak, Sebastian Kurz dhe Presidenti Aleksandar Vuçiç

Kurz në Serbi

Pas një takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiç më 5 nëntor, Kurz tha në një konferencë shtypi se Austria po bënte gjithçka për të mbështetur anëtarësimin e Serbisë në BE. “Unioni do të jetë i plotë kur vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen me ne”, theksoi ai.

Kurz mbajti të njëjtin qëndrim edhe në Beograd, ku tha se Austria, edhe pse para dhjetë vjetësh ka njohur pavarësinë e Kosovës, mbështet çdo zgjidhje midis dy vendeve.

“Është një mundësi unike që historia të mbetet histori dhe sëbashku të ecim drejt së ardhmes.
Nga këndvështrimi im, ky dialog duhet të përfundojë me sukses”, tha Kurz në konferencën e përbashkët me presidentin Vuçiç.

Kurz deklaroi gjithashtuse përfundimi i suksesshëm i bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës përzgjidhjen e dallimeve të tyre do të jetë vendimtar që Serbia të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së. Por presidenti serb nuk ishte aq optimist për këto negociata.

“Serbët dhe shqiptarët janë milje larg arritje së një zgjidhjeje, por nëse arrijnë të gjejmë kompromis, kjo do të garantonte paqen në 100 vjetët e ardhshëm”, deklaroi Vuçic.

Vizita e Kurz në Beograd vjen pas një vizite dy javë pas vizitës së Presidenti austriak Aleksander van der Belen. Kryetari i parlamentit austriak, Wolfgang Sobotka planifikon gjithashtu të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën në mes të nëntorit, duke sinjalizuar se Austria është angazhuar më shumë se kurrë në Ballkan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë