Gazeta Si – Dy mjekë në QSUT, janë arrestuar në Tiranë pas një hetimi disa mujor, teksa ka rezultuar se merrnin para për kryerjen e skanerit ndaj pacientëve.
Të arrestuarit janë: Nazmi Metaliu 63 vjeç, banues në Tiranë, me profesion mjek dhe Astrit Mansaku 51 vjeç, banues në Tiranë, me profesion teknik imazherie në QSUT.
Hetimet e kryera nga Prokuroria Tiranë kanë dokumentuar të paktën 15 raste të ryshfetit. Sipas policisë, mjekët u merrnin para pacientëve për të shmangur procedurën standarde spitalore, për kryerjen e skanerit.
Paraprakisht dyshohet se mjekët u kanë kërkuar qytetarëve shuma të ndryshme monetare, që sipas të dhënave, varionin nga 100-150 mijë lekë të vjetra.
Arrestimet kanë ndodhur si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, me qëllim konstatimin e rasteve të korrupsionit dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të abuzimit.
Policia e Tiranës tha se nga veprimet hetimore, mjeku dhe imazheristi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës, iu mundësonin qytetarëve të ndryshëm, kundrejt shumave monetare, bërjen e skanerit, në kundërshtim me rregulloren e spitalit.
Kjo rregullore përcakton kryerjen e skanerit sipas radhës, por për shkak të kërkesave të shumta nga kryeqyteti dhe rrethet e tjera, pritja në disa raste zgjat me muaj.
Ka qenë një prej qytetarëve, i cili ka kallëzuar mjekët në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa kjo e fundit i ka mbajtur nën vëzhgim prej disa kohësh. Prokuroria ka të dhëna të mjaftueshme, që implikojnë këta dy persona në skemën e korrupsionit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.