Njerez

Matiç refuzon lulëkuqen në fanellë për të rënët në luftë

Për luftën janë shkruar shumë libra dhe janë thurur shumë këngë. Lulëkuqja është lulja simbol e këtyre librave dhe këngëve, kur bëhet fjalë për viktimat e luftës. Me qëllimin për të kujtuar ushtarët e rënë në luftën e parë botërore, që nga viti 1919, në Britaninë e Madhe festohet më 11 nëntor “Remembrance Day”. Është data kur ka përfunduar kjo luftë. Gjatë javëve të fundit, pikërisht për të festuar “Remembrance Day”, shoqatat sportive angleze kanë vendosur në fanellat e lojtarëve një lulëkuqe, por ka edhe nga ata që nuk e kanë pranuar atë.

Javën e fundit ra na sy fanella e mesfushorit serb të Mançester Junajtid, Nemanja Matiç, i cili nuk e kishte lulëkuqen, duke krijuar menjëherë polemika. U mendua se lulëkuqja kishte rënë nga fanella, ku dukej shenja e vendosjes së saj, ose mund të ishte një gabim i magazinierëve, apo edhe që sportisti është kundër këtyre lloj nderimeve. Por hipoteza e fundit kishte rënë poshtë, duke parë disa foto të serbit në vitet e mëparshme, ku Matiç mbante lulëkuqen në uniformën e lojës.

https://www.instagram.com/p/BpzJX_kl31f/?utm_source=ig_embed
Postimi i Matiç në faqen e tij në Tuiter

Mesfushori ka bërë një postim në rrjetet sociale për të sqaruar gjithçka: “E kuptoj shumë mirë arsyen pse të tjerët mbajnë lulëkuqen në fanellë, respektoj të drejtën e çdo njeriu për ta bërë dhe respektoj të gjithë ata që kanë humbur të afërmit e tyre për shkak të konflikteve. Por për mua është kujtimi i një sulmi kur isha një 12-vjeçar i tmerruar që jetonte në Vrelo. Vendi im bombardohej në vitin 1999. Po, e kam bërë në të kaluarën, por pas një reflektimi besoj se nuk është e drejtë të mbaj lulëkuqen në fanellën time. Shpresoj që të gjithë ta kuptojnë situatën time tani që e kam bërë të qartë. Dua të jem i përqendruar për të ndihmuar skuadrën në ndeshjet e ardhshme”, – shkruante Matiç.

Ka ndodhur edhe më parë një precedent i tillë. James McClean, mesfushor i Stok Sitit, gjithmonë ka refuzuar ta mbajë lulëkuqen në fanellë. Irlandezoveriori është një anti-britanik i thekur. Ai ka në memorien e tij “Bloody Sunday” të vitit 1972, kur 25 persona nga qytetit ku është rritur u vranë nga ushtria britanike. McClean është kontestuar fuqishëm në të kaluarën, kurse poshtë postimit të Nemanja Matiç në Instagram kishte shumë reagime pozitive, ku shkruhej: “Respekt!”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë