Mëngjesin e të shtunës së 21 janarit, pak para se kryeministri Edi Rama të zhvillonte ritualin e përvitshëm duke vendosur lule në kujtim të katër qytetarëve të vrarë në protestën e thirrur prej tij, Elisa Spiropali njoftoi se PS do të çonte në SPAK për ngjarjen e 2011-s, Sali Berishën.
Po atë ditë, përtej Atlantikut, Charles McGonigal, ish-shefi i kundërzbulimit në FBI u arrestua pas pagesave të padeklaruara nga rusë dhe shqiptarë.
Arrestimi i “mikut” të kryeministrit Rama u bë publik vetëm të hënën në mediat ndërkombëtare, atëherë kur Gjykata vendosi ta lërë të lirë kundrejt pagesës.
Deri atë ditë, PS-ja u shfaq ethshëm në tre konferenca për shtyp, me bazë një audio-përgjim të publikuar së fundmi për 21 janarin dhe me persona të akuzuar Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.
Në anën tjetër, Sali Berisha sfumoi hovin politik të kundërshtarit duke e banalizuar ‘provën’ e re të PS si ‘manipulim’ të radhës të Ardi Veliut.
Të njëjtën gjë bëri edhe Ilir Meta.
Ndërkohë ngjarjet përtej Atlantikut kanë avancuar.
Në mediat e huaja publikohen pjesë nga dosja e ish-agjentit të FBI ku përmenden me emra disa lidhje me Shqipërinë.
Në akt-akuzë përfshihen detaje për udhëtimet e zyrtarit amerikan në Shqipëri, takime, para të paguara cash dhe shërbime të caktuara me persona të dyshuar Agron Nezën, ish-agjent i shërbimeve sekrete dhe Dorian Duçkën që punon për Ramën, dikur edhe për qeverinë Berisha.
Në dosje përmenden edhe takime të padeklaruara me Edi Ramën.
Ky i fundit ndryshon qëndrimin ndaj ish-zyrtarit të FBI-së.
Nga cilësimi si “mik” në shtator të vitit të kaluar, në “zyrtar i FBI-së” që nuk ka asnjë lidhje me të.
Sali Berisha në anën tjetër e akuzon Ramën se ka përdorur ish-agjentin e FBI-së për të sulmuar opozitën.
Në një dalje të dytë, Berisha shton dozat dhe ngre një fabul të tërë me dyshimin indirekt se nga ky “allishverish” i Ramës me zyrtarin e FBI-së e ka ‘ngrënë’ edhe ai duke u shpallur ‘non grata’.
Rama ndërkohë i "përplas" Gjiknurin, me një kallëzim të ri për Sali Berishën me provën e ‘vjetër’ të audio-përgjimit.
Për të kaluar tek Meta, që shfaqet më i ftohtë se Rama dhe Berisha në përplasjen e fundit politike.
Sigurisht për llogaritë e veta.
Në dosjen e SHBA-së përfshihet ish-bashkëpunëtori i ngushtë i tij, Dorian Duçka, (dikur zv-ministër i Energjitikës) që lëvizte jo pak fije për tenderat në kohën kur Meta ishte në qeveri me Berishën.
Ilir Meta nuk e përmend nominalisht Dorian Duçkën me emër, por bën përgjegjës direkt kryeministrin Edi Rama.
Ai i kërkon SPAK-ut që të hapë hetim për kryeministrin duke kërkuar provat nga SHBA.
Në fund nuk mungoi një reagim edhe nga njerëzit e Bashës: Publikisht me një kallëzim penal për Edi Ramën në SPAK dhe jo zyrtarisht, duke hapur tymnajë fjalësh se vetë ai “i gjati” nuk e ka të gjatë, pasi përtej Atlantikut po gatiten emra të tjerë ‘non grata’, ndër ta edhe ministra.
...Ndaj dhe të gjithë e kanë ngritur stekën tek Rama, Berisha, Basha e Meta.
Ndërsa loja kish filluar me personazhe të “nominuara” më herët në nivel ministrash.
Fatmir Mediu i akuzuar nga SPAK për “shpërdorim të detyrës” në ngjarjen e Gërdecit, pasoi Arben Ahmetajn i përfolur për inceneratorët, e deri tek deponimi i ish-ministrit Ilir Beqja në SPAK për dosjen e koncesionit të sterilizimit.
Një fenomen që Rama në reagimin e së martës e trajtoi në kufijtë e një reality show, si Big Brother. (Sigurisht për pjesën e vet kur akuzohej nga opozita për dosjen 'McGonigal').
Por zhvillimet e ethshme të ditëve të fundit qysh prej së shtunës po ravijëzojnë një debat me personazhin ‘imagjinar’ (ashtu si në librin e George Orwell), ku shumëkush monitorohet, linçohet e akuzohet e në fund nuk kupton nëse ishte real apo sajesë për rrethana të caktuara politike.
Fabula e famshme e Big Brother që askush nuk e sheh, por e dëgjon, ka po aq vlerë sa edhe sot në politikën shqiptare. Në fund të fundit është po ai që vendos. As lojtari dhe as publiku, siç na serviret.
Gjithë pyetja tek ne është se kush po na vëzhgon kësaj here? Se lojën duket që e kemi filluar. Dhe me kohë... Të paktën këtu Rama kishte të drejtë. N.P
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.