Gazeta Si – Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se qeveria gjermane nuk do të kundërshtojë nëse Polonia vendos t’i sigurojë Ukrainës tanke luftarake të tipit “Leopard 2”.
Baerbock deklaroi se Polonia nuk ka kërkuar zyrtarisht miratimin e Gjermanisë për një gjë të tillë, por nëse kërkohet, Gjermania nuk do ta pengojë.
Ajo shtoi se zyrtarët gjermanë e kuptojnë rëndësinë e këtyre tankeve për Ukrainën dhe se çështja aktualisht po diskutohet me partnerët.
Deklarata e ministres së Jashtme gjermane, vjen pasi kryeministri i Polonisë kritikoi vendimin e Gjermanisë për të mos furnizuar Ukrainën me tanke “Leopard”, duke thënë se ky qëndrim i Berlinit është “i papranueshëm”.
Nëse Berlini refuzon që ta furnizojë Ukrainën me tanke, “ne do të ngremë një ‘koalicion të vogël’ të shteteve që janë të gatshme të dhurojnë disa prej pajisjeve të tyre moderne, tankeve të tyre moderne”, tha kryeministri polak, Mateusz Morawiecki.
Përmes një deklarate të përbashkët, të shtunën ministrat e Jashtëm të tri shteteve të Baltikut i bën thirrje Gjermanisë “t’i japë tani tanke ‘Leopard’ Ukrainës”.
Edhe pse Gjermania është një nga donatorët kryesorë të armëve për Ukrainën, qeveria në Berlin ka qenë e kujdesshme në rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




