Ka ndodhur

Shkodra dhe Lezha ende nën ujë, por bie niveli kritik i lumenjve. Reshjet e borës bllokojnë sërish ‘Rrugën e Arbrit’

Gazeta Si - Pas reshjeve të shiut që shkaktuan përmbytje dhe atyre të borës në vend, problematika më të theksuara paraqiten në qarqet e Shkodrës, Kukësit, Dibrës dhe Gjirokastrës.

Gjatë orëve të pasdites, si pasojë e reshjeve të dëborës, aksi rrugor Klos-Qafë Murrizë në "Rrugën e Arbrit" është bërë i pa kalueshëm për mjetet dhe subjekti kontraktor po punon për pastrimin dhe hapjen e rrugës për qarkullimin e automjeteve.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas të
të ndjekin aksin e vjetër Klos-Burrel-Ulëz e anasjelltas dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

Ndërkohë, në raportimin e mesditës nga Emergjencat Civile, njoftohet se në Këlcyrë ka rrëshqitje të tokës në një sipërfaqe rreth 2 hektarë.

Nga rrëshqitja janë prekur 4 banesa dhe 4 stalla bagëtish, ndërkohë që janë evakuuar banorët. Ka ende disa zona pa energji elektrike në Elbasan, Kukës dhe Shkodër.

Drejtori i Drejtorisë së Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente, u shpreh se territori i vendit vijon të jetë i përfshirë nga reshje shiu dhe dëbore, por deri më tani nuk paraqiten problematika të theksuara.

Priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje mesatare. Reshjet priten të shoqërohen edhe me shtrëngata në qarqet Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër.

Niveli i lumenjve është nën nivelin kritik, duke mos paraqitur problem për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre.

Hidrovoret janë gadishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk paraqesin problem për përmbytje.

Për sa i përket furnizimit me energji, ka problematika vetëm në disa zona rurale të qarqeve Tiranë, Elbasan, Kukës dhe Shkodër. Nga forcat e OSHEE vijon puna pa ndërprerje për të rikthyer normalitetin.

Në qarkun e Shkodrës nuk ka zgjerim të hartës së sipërfaqes së raportuar të përmbytur një ditë më parë. Kalohet me mjete të larta vetëm rruga e Obotit, ku ka prani uji.

Më qarkun e Lezhës, total ka rreth 770 ha tokë bujqësore të përbytur, në ish kënetën e Toroviocës, njësia administrative Balldren, në ish kënetën Spiten-Tresh Bashkia Lezhë, në njësinë adminstative Zejmen, në ish-kënetën Gjonëm, Bashkia Kurbin.

Në Malësinë e Madhe po punohet për zhbllokimin e aksit Bogë-Theth, të bllokuar për shkak të rënies së orteqeve në vendin e quajtur “Tynelet Panoramike”.

Në të gjitha akset rrugore që kanë problematika në rrëshqitjen e dherave rënien e gurëve apo dëmtimet e trupit të rrugës, nga forcat e ARRSH-së dhe të bashkive po punojnë për pastrimin dhe riparimin e tyre.

Pa probleme të theksuara paraqitet situata në qarkun e Kukësit, ku gjatë ditës së djeshme ka pasur reshje bore me trashësi 10-15 cm, rrugët nacionale janë të hapura dhe qarkullohet normalisht. Punonjësit e emergjencave dhe firmat kontraktore jane ne terren dhe në gatishmëri.

Në qarkun e Gjirokastrës, në Bashkinë Këlcyrë, në lagjen “Kalemaj”, fshati Katundishtë, njësia admnistrative Deshnicë, ka rrëshqitje dhe fundosje të tokës nga baza rreth 1 m, në një sipërfaqe rreth 2 ha.

Brenda kësaj sipërfaqeje, përfshihen 4 banesa dhe 4 stalla bagëtish. Në vendngjarje ka shkuar një grup pune për konstatimin e dëmeve. Banorët janë evakuar nga banesat dhe janë strehuar tek të afërmit e tyre.

Në qarkun Korçës ka pasur reshje bore, trashësia e së cilës është 10-25 cm. Të gjitha akset rrugore janë të hapura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë