Ka ndodhur

Shkodra ende nën ujë, zhbllokohet Rruga e Arbrit. Reshje bore në Lezhë, Korçë e Llogara

Gazeta Si - Ndërsa Shkodra vijon të jetë nën ujë, gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje, moti i keq me reshje shiu dhe dëbore ka përfshirë të gjithë territorin e vendit.

Kjo situatë ka sjellë në mëngjes bllokimin e Rrugës së Arbrit nga dëbora, e cila ka prekur edhe Lezhën, Korçën, Qafshtamën e Llogaranë. Më pas, sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, Rruga e Arbrit është zhbllokuar.

Një ditë më parë ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se priten reshje intensive, që pikun do ta kenë në datën 20 janar.

Shkodra vijon të jetë e përmbytur

Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë përmbytje në Bashkinë Shkodër. Sipas raportit për këtë të premte, sipërfaqja totale e përmbytur në këtë bashki ka qenë 1100 hektarë, situatë kjo e pandryshuar që nga ora 18:00 e datës së djeshme (19 janar). 1100 hektarët e përmbytur i përkasin Njësisë Administrative Ana e Malit.

Niveli i lumit Drin (hidrometri Ura e Bahçallëkut) shënonte gjatë paradites kuotën 6.15 me një rënie prej 40 centimetrash me orën 18:00 të datës 19.01.2023 (kuota maksimale 7.50 metra).

Niveli i liqenit (hidrometri Ura e Bunës) shënonte 8.10 metra me një rritje prej 5 centimetrash me orën 18:00 të datës 19.01.2023 (kuota maksimale 8.70 metra).

Rruga e Obotit ka pasur prezencë uji 55 centimetra, e pandryshuar me orën 18:00 e datës 19.01.2023.

Në rrugën e Obotit ka operuar një mjet i kalueshmërisë së lartë së bashku me 4 forca të ushtrisë. Ndërkohë ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit.

Dëbora bllokon Rrugën e Arbrit

Moti i keq ka bërë që sërish të bllokohet Rruga e Arbrit prej reshjeve të borës. Prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të premteje është punuar për pastrimin e saj.

Ndërkohë që policia ka njoftuar se bllokimi ka ndodhur në aksin rrugor Xibër-Qafë Murrizë.

Policia thekson drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas nëpërmjet bypass- Qafë Murrizë, të ndjekin aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz.

“Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në zonat malore të qarkut Dibrër kanë rënë reshje dëbore dhe për këtë shkak, aksi i rrugës së Arbrit, bypass- Qafë Murrizë, është  bllokuar dhe subjekti kontraktor për mirëmbajtjen e  rrugës po punojnë për pastrimin dhe hapjen e saj”, thuhej në një njoftim.

Borë edhe në Krujë, Korçë, Llogara dhe Lezhë

Gjatë orëve të fundit është ulur intensiteti i reshjeve të shiut në Lezhë, Vlorë, Qafshtamë e në malin e Krujës duke bërë që në zonat malore të nisë dëbora.

Mbi lartësinë 800 metra nga niveli i detit ka nisur dëbora, dhe Qafshtama është e mbuluar me dëborë ku trashësia arrin afro 10 cm, po gjithashtu është i mbuluar me dëborë edhe mali i Krujës e Sarisalltiku. Me makinë të vogël rruga nuk është e kalueshme.

Në Lezhë, intensiteti i reshjeve të shiut ka rënë gjatë orëve të fundit, por edhe gjatë ditës së sotme nuk po bëhet mësim në dy shkollat të cilat një ditë më parë ishin nën pushtetin e ujit, shkollat ‘Gjergj Kastrioti’ dhe ‘Besëlidhja’.

Në Qarkun Korçë gjatë natës ka pasur rreshje shiu/dëbore. Rreshjet kanë qenë në formë dëbore deri në mbi 1200 m.

Në rrugën e Dardhës nga km 6 - km13, ka rreshje dëbore, me trashësi 5 cm deri 15 cm. Në aksin Korçë-Voskopojë dhe Korçë-Qafa e Qarrit-Ersekë ka pasur reshje dëbore të pakta. Qarkullimi i mjeteve bëhet pa probleme dimërore.

Gjatë natës ka pasur reshje bore në Llogara. Borëpastruset kanë pastruar dhe kriposur rrugën duke mos u krijuar problematika në qarkullim e mjeteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë