Mendim

Si rritet siguria publike përmes përdorimit të saktë të kartës së identitetit

Zhvillimet e kohëve të fundit, pas daljes së të dhënave personale kanë shkaktuar një frikë deri diku të justifikueshme të qytetarëve në përdorimin e të dhënave të tyre nga individë të tjerë. Pyetja që lind është që si mund të rrisim sigurinë e qytetarëve dhe t’ju japim atyre besimin e duhur që ata janë të mbrojtur përsa kohë janë të pajisur me një dokument identifikimi biometrik.

Nga Ing.Lorenc Bako*– Identiteti digjital apo e-identity tashmë është një realitet në Shqipëri por a përdoret si duhet, a duhet të ketë një ndryshim në mënyrën se si identifikohen qytetarët në marrjen e shërbimeve publike dhe ato private ? !

Zhvillimet e kohëve të fundit, pas daljes së të dhënave personale kanë shkaktuar një frikë deri diku të justifikueshme të qytetarëve në përdorimin e të dhënave të tyre nga individë të tjerë.

 Pyetja që lind është që si mund të rrisim sigurinë e qytetarëve dhe t’ju japim atyre besimin e duhur që ata janë të mbrojtur përsa kohë janë të pajisur me një dokument identifikimi biometrik.

Në jetën e përditshme gjatë marrjes së shërbimeve në sektorin publik apo privat të gjithë prezantohen me kërkesën për paraqitjen e kartës së identitetit ( ID card), e cila në një pjesë të mirë të rasteve fotokopjohet nga pala që ofron shërbimin.

Por çfarë ka ndodhur në krahasim me kohën kur për identifikim duhet të paraqisnim dhe depozitonim një çertifikatë personale e cila ishte e pajisur me disa elemente sigurie?

Nëse deri para daljes së ID card dokumenti që dorëzonim ishtë original dhe i garantuar nga DPGJC-ja (Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile), sot procesi i verifikimit është më i pasigurtë pasi fotokopja që i kryhet kartës së identitetit mbart shumë rreziqe.

Karta e identitetit në vendin tonë me të cilën aktualisht është e pajisur e gjithë popullata është një dokument biometrik, që do të thotë që nga ana vizuale ky dokument ka elemente sigurie të cilët vëtëm nga një sy shumë i stërvitur mund të dallohen, por epërsia e këtij dokumenti qëndron në faktin që të dhënat e mbajtësit të kësaj karte  gjenden të regjistruara në njërën prej memorieve të kartës të cilat nuk mund të ndryshohen. Këto të dhëna në ditët e sotme mund të lexohen lehtësisht me një lexues të lidhur me kompjuterin i cili ka një kosto rreth 15 Euro ose edhe nëpërmjet NFC të një telefoni inteligjent. Proçesi që ndodh aktualisht i fotokopjimit të kartës së identitetit në verifikimin e personit që e paraqet, ka të njëjtën vlerë me fotokopjimin e një disku muzikor për të dëgjuar muzikën që ka në të. Nisur nga më sipër është e pakuptueshme sesi vazhdon kjo mënyrë e identifikimit të qytetarëve dhe mbledhja e të dhënave të tyre nëpërmjet fotokopjimit të kartës së identitetit vend e pa vend sidomos nga sektori privat pasi sektori publik e ka të kufizuar pasi është vetë përgjegjës për çdo dokument që administron për llogari të individit.

Risku qëndron në faktin që prodhimi i një karte ID të falsifikuar me pajisjet e sotme realizohet njësoj si prodhimi i kartave të aksesit që përdorin institucionet e ndryshme për punonjësit dhe nga ana vizuale karta duket thuajse njësoj si ajo origjinale, dhe në shumicën e rasteve ai që kryen verifikimin nuk i dallon dot elementet vizual të sigurisë. Elementi që i mungon kartës së falsifikuar dhe nuk mund të kopjohet nga asnjë falsifikator janë memoriet e brendshme ku ruhen të dhënat, pra një kartë identiteti e falsifikuar nuk mund të lexohet.

 Zgjidhja është shumë e thjeshtë, karta e identitetit duhet të lexohet dhe jo të fotokopjohet pasi një dokument biometrik vetëm lexohet dhe ky është qëllimi për të cilin është prodhuar. Leximi i kartave të identitetit është një domosdoshmëri duke filluar nga sektori publik por edhe ai privat ku kemi parasysh sektorin bankar, sektorin e telekomunikacionit, sektorin e shëndetësisë, sektorin e sigurimeve etj. Leximi i kartës ka lidhje jo vetëm me sigurinë por ai është një element shumë i rëndësishëm edhe në cilësinë e të dhënave pasi njihen me mijëra raste kur gabimi njerëzor në momentin e hedhjes së të dhënave të kartës në një sistem elektronik publik apo privat nga një operator ka shkaktuar deformime me pasoja të mëvonshme.

Shembull i pajises elektronike te nje karte identiteti

Leximi i kartës është përparësia e parë e një dokumenti biometrik por karta jonë e identitetit ka të regjistruar brenda saj edhe dy elemete të tjerë shumë të rëndësishëm, identitetin digjital dhe nënshkrimin elektronik. Identiteti digjital është prova e lidhjes së identitetit fizik me atë digjital dhe kjo provë është e domosdoshme kur duhet të identifikohemi në platformat online që ofrojnë shërbime elektronike për qytetarin qofshin këto qeveritare apo edhe private. Nëse në botën reale prezenca fizike është ajo që tregon ekzistencën e individit në botën digjitale është identiteti digjital ai që tregon ekzistencën e po këtij individi.

Identiteti digjital i mbajtësit të kartës së identitetit kryhet nga leximit i kartës ID nëpërmjet lexuesit të kartës përmes vendosjes së kodit PIN ose vendosjes së një prej gishtave në lexues kur ky është pajisur edhe me këtë funksion. Siguria e transaksioneve nëpërmjet përdorimit të identitetit digjital apo identitetit elektronik është shumë e lartë dhe mbron në maksimum si individin ashtu edhe palën që ofron shërbimin, qoftë kjo publike apo private. Elementi tjetër i rëndësishëm që gjendet në kartën tonë biometrike të identitetit është nënshkrimi elektronik i cili shërben për nënshkrimin e dokumentave në format elektronik. Epërsia e nëshkrimit elektronik qendron në faktin që është i pamanipulueshëm dhe i pakopjueshëm. Përdorimi i nëshkrimit elektronik është gjithmonë i nevojshëm në botën virtuale dhe ligjërisht është i barabartë me nënshkrimin klasik.

Si përfundim, siguria publike dhe cilësia e të dhënave në Shqipëri kërkon patjetër detyrimin për leximin e kartës së identitetit në çdo sportel publik apo privat në rastin kur kërkohet verifikimi i identitetit të personit që mban atë kartë, si dhe verifikimin e identitetit elektronik në çdo platformë online publike apo private për kryerjen e një transaksioni apo marrjen e një shërbimi online.

*Shënim: Ky shkrim është një opinion personal i imi si ekspert i fushës dhe nuk ka lidhje me qëndrimin apo opinionin e institucionit ku punoj aktualisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë