Ka ndodhur

Stuhi në Durrës, era e forta lë pa drita disa fshatra në Vlorë dhe Korçë

Gazeta Si - Durrësi është përfshirë nga moti i keq gjatë 24 orëve të fundit. Stuhia detare ka vazhduar dhe për rrjedhojë, është penguar sërish lundrimi i anijeve.

Tragetet që duhet të niseshin mbrëmjen e djeshme drejt Barit, nuk kanë realizuar dot nisjen. Do të tentohet që të nisen gjatë mëngjesit të sotëm.

Ndërsa nga Bari janë nisur dy tragete dhe pritet të mbërrijnë në Portin e Durrësit. Vijon të mbetet i ndaluar lundrimi i anijeve të vogla dhe peshkarexhave.

Pavarësisht se kushtet aktuale hidrometeorologjike janë përmirësuar në Vlorë, era ka qenë shumë e fortë, aq sa ka lënë disa zona të qarkut pa energji elektrike.

Si pasojë e erërave të forta gjatë natës dhe në mëngjesin e kësaj t enjteje, ka probleme me energjinë elektrike në: Pus Mezini, Orikum, Dukat, Llogara, Radhimë, Kallarat, Bolenë, Vranisht, Mesaplik, Tërbaç, Brataj, Velç, Bashaj, Sevastër, Gorisht, Dushkarak, Mazhar.

Autoritetet lokale thonë se po punohet për të rikthyer energjinë në këto zona. Të gjitha zonat e tjera furnizohen me energji elektrike normalisht

Ndërkohë, trageti i linjës Vlorë-Brinidizi-Vlorë pritet të mbërrijë rreth mesditës. Mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit vazhdojnë të jenë të pezulluara.

Gjatë natës, edhe në territorin e qarkut Korçë ka pasur reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar, të cilat janë shoqëruara me erë të fortë e për rrjedhojë kanë shkaktuar probleme në linjat e furnizimit me energji elektrike.

Era e fortë në qytet ka bërë që të shkulen pemë në lagjen 4 të qytetit.

Ndërprerje të energjisë elektrike ka në bashkinë Pustec, Bashkinë Devoll, Njësinë Adminstrative Vithkuq, bashkinë Korçë, Leskovik, bashkinë Kolonjë, në zonën e Gorës, në Pirg bashkia Maliq, në zonën e Mokrës bashkia Pogradec.

Rrugët nacionale kanë qënë pa probleme, po ashtu edhe në rrugët dytësore dhe ato lidhëse në bashki nuk raportohen problematika.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë