Ka ndodhur

Reshje intensive, lumi Vjosa pranë niveleve kritike: Peleshi: Rrezik përmbytjesh në disa zona

Gazeta Si - Reshjet e dendura të shiut prej disa ditësh kanë sjellë probleme në disa qarqe të vendit, kryesisht në Bashkinë e Shkodrës dhe Lezhës.

Por ashtu siç ishte parashikuar më herët, sot ka pasur rrebeshe të forta shiu dhe përkeqësimi i motit pritet të vijojë edhe në dy ditët e ardhshme me rritje prurjeve të lumenjve dhe rrezik të shtuar për përmbytje në disa zona të vendit.

Alarmi u dha nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili në një deklaratë për mediat këtë të enjte lidhur me situatën e reshjeve në vend, tha se më problematike situata do të jetë në zonën e Nënshkodrës dhe në atë të lumit Vjosë për shkak të prurjeve.

“Jemi në pikën kritike, por jo të pamenaxhueshme nga forcat në terren. Jemi një metër larg pikës kritike sa i përket nivelit të ujit, reshjet do vijojnë deri me datë 21 janar, por situata është optimiste”, tha Peleshi.

Ministri pohoi se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për t’i paraprirë çdo situate.

Mes të tjerash, ai tha se priten reshje të dendura shiu në vend, duke shtuar se lumi Vjosa është pranë niveleve kritike të tij për shkak të prurjeve të mëdha.

“Priten reshje të dendura shiu në vend. Lumi Vjosa është pranë niveleve kritike. Ka shtim të përmbytjeve në zonat e Nënshkodrës. Shkarkimet po bëhen në mënyrë të kujdesshme nga KESH. Gjatë ditës së djeshme ka pasur edhe shkëputje të energjisë elektrike. Ka pasur disa ndërprerje në zona të Shkodrës, Kukësit, apo dhe në Korçë. Sa u përket kuotave të lumenjve, Osumi është në rënie. Në Urën e Varur, ky lum është në kuota normale. Drini në Shkodër, është në kuotë normale. Niveli i liqenit të Shkodrës është dhe gjysmë metri nga kuota kritike. Buna ka dalë nga shtrati. Në Lezhë kemi pasur disa vërshime në disa rrugë të qytetit”, tha Peleshi.

Nga përmbytjet e tokave në Bashkinë Shkodër

Përmbytje në Bashkinë Shkodër, 1000 ha tokë nën ujë

Gjatë reshjeve të dendura natën, moti i keq që ka përfshirë vendin ka shkaktuar përmbytje dhe bllokim të rrugëve në Bashkinë Shkodër.

Sipas autoriteteve lokale, 1000 hektarë tokë janë përmbytur në Njësinë Administrative Ana e Malit në Shkodër, me rritje prej 600 Ha nga dita e djeshme.

Në njësinë administrative Dajç kanë mbetur pa energji fshatrat Mushan, Shirq, Suka Dajç. Probleme me energjinë raportohen dhe në pjesën më të madhe të Njësisë Administrative Velipojë.

Pa energji elektrike ka mbetur dhe fshati Obot. Ndërsa rruga e Obotit është e kalueshme vetëm me mjete të larta. Ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit. Kërkohet një mjet ushtrie i kalueshmërisë së lartë në rrugën e Obotit, së bashku me katër forca ushtarake.

Niveli i lumit Drin (hidrometri ura e Bahçallëkut) shënon kuotën 6.20 m nuk ka ndryshim me orën 19.00 të datës 18.01.2023 ( kuota max 7.50 m ). Niveli i Liqenit ( hidrometri ura e Bunës) shënon 7.85 m me njeë rritje prej 23 cm me orën 19.00 të dates 18.01.2023 ( kuota max 8.70 m ).

Oborri i një shkolle i përmbytur nga bllokimi i kanalizimeve në Lezhë

Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme në Lezhë. Përmbytjet në disa lagje të qytetit kanë vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve. Siç shihet dhe nga pamjet, oborret e disa shkollave janë përmbytur duke bërë që nxënësit dhe mësuesit të mos hyjnë dot në klasa.

Për shkak të motit të keq, kapiteneria e portit të Shëngjinit ka pezulluar lundrimin detar për të gjitha llojet mjeteve. Mjetet lundruese janë ankoruar në port dhe nuk do të lejohet lundrimi deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Ndërkohë, peshjet e rëna në ditët e fundit kanë sjellë një rritje të ndjeshme të prurjeve në ujëmbledhësit e të tre hidrocentraleve të kaskadës së Drinit.

Në Fierzë prurjet janë në masën e 650 metrave kub ujë në sekondë, ndërsa niveli në liqen ka arritur në 288.8 metra, nga 296 metra që është niveli maksimal i lejuar.

Prurjet më të mëdha deri më tani raportohen në liqenin e Komanit, ku vetëm prurje anësore raportohet janë 1300 metra kub ujë në sekondë.

Në Vaun e Dejës prurjet anësore kanë arritur në 550 metra kub ujë në sekondë, ndërsa niveli në liqen në 72.3 metra.

Autoritetet raportojnë se për të mbajtur nën kontroll situatën nga ky hidrocentral kanë nisur shkarkimet edhe nga portat. Në total së bashku me agregatet nga ky hidrocentral po shkarkohen 1437 metra kub ujë në sekond.

Të tre hidrocentralet e kësaj kaskade po punojnë me kapacitet të plotë, çka ka sjellë dhe një mbiprodhim të energjisë. Ndaj KESH ka nisur shitjet dhe depozitimin e energjisë jashtë vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë