Ka ndodhur

Piku i prurjeve në 20 janar, pezullohet lundrimi në Durrës. Në Vlorë e Korçë disa zona pa energji

Gazeta Si – Pavarësisht reshjeve të shiut me intensitet të lartë gjatë mbrëmjes së të martës, nuk janë shkaktuar situata përmbytjesh në asnjë zonë të territorit të vendit.

Ministria e Mbrojtjes njofton se Bashkitë Shkodër, Lezhë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Durrës dhe Elbasan, do të jenë në monitorim të prurjeve të lumenjve në orët në vijim, pasi sipas parashikimeve piku i prurjeve do të arrihet në datën 20 janar.

Në zonat malore, ku ka pasur reshje bore, po punohet në disa akse për pastrimin e rrugëve nga inertet.

Ministria e Mbrojtjes njofton se Forcat e Armatosura kanë të angazhuara në nivel kombëtar 1200 forca dhe 450 mjete së bashku me shërbimin zjarrfikës, atë mjekësor, si dhe Policinë e Shtetit për të ndërhyrë në çdo rast nevoje.

Vijon puna dhe nga forcat e OSHEE-së për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në disa njësi administrative.

Pezullohet lundrimi i trageteve në Durrës

Situata e motit të keq ka pezulluar lundrimin në portin e Durrësit. Tragetet drejt Barit dhe Ankonës nuk u nisën këtë mëngjes, ndërsa transporti ndërkombëtar i udhëtarëve do të rinisë me përmirësimin e kushteve të motit.

Një ditë më parë anuluan lundrimet për shkak të motit të keq në rajonin e Adriatikut tragetet e linjave Bari-Durrës-Bari, ai i Ankonës drejt Durrësit, si dhe trageti i linjës Vlorë- Brindizi.

Në zonat e tjera të vendit situata është e qetë. Reshjet kanë shtuar edhe prurjet në kaskadë. Autoritetet njoftojnë se ka pasur shkarkime të kontrolluara dhe për pasojë në zonën e Nënshkodrës nuk ka situatë me përmbytjet.

Sipas meteorologëve këto kushte të motit do të vijojnë të paktën edhe për dy ditë të tjera ndërsa në fundjavë do të kemi ulje të ndjeshme të temperaturave duke sjellë reshje bore në zonat malore.

Pa energji elektrike disa zona në Vlorë e Korçë

Si pasojë e motit të keq dhe erërave të forta, disa zona të Vlorës kanë mbetur pa energji elektrike. Më konkretisht bëhet fjalë për këto zona: Dukat, Llogara, Radhimë, disa familje tek zona e ‘Ujit të ftohtë’, Peshkpi, Vllahinë, Kallarat, Bolenë, Vranisht, Mesaplik, Tërbac, Brataj, Velc, Bashaj, Sevaster.

Shtabi i emergjencave bën me dije se po punohet për të rikthyer energjinë sa më shpejt. Sa i përket zonave të tjera, furnizohen me energji elektrike normalisht.

Edhe në qarkun e Korçës ka pasur probleme me furnizimin me energji elektrike pasi reshjet e shiut gjatë natës janë shoqëruar me erë të fortë.

Sipas Shtabit të Emergjencave në Prefekturën e Korçës disa zona si në Kolonjë, Gorë, Mokër, Leskovik e Panarit kanë probleme me energjinë elektrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë