Ka ndodhur

Dhunohet mësuesi në Tepelenë, dyshohet se autori e goditi pas ngacmimit të së motrës

Gazeta Si – Policia e Tepelenës ka ndaluar një person, i cili dyshohet se ka rrahur mësuesin e shkollës 9-vjeçare ku studion motra e tij 13-vjeçare, me pretendimin se e kishte ngacmuar seksualisht.

Alvi Gumeni emigrant, është kthyer nga vendi ku jetonte pas thirrjes së të motrës për ndihmë, pasi e mitura pretendohet se është ngacmuar nga mësuesi 59-vjeçar në Tepelenë, Kleanthi Laçi.

Vetë Alvi Gumeni është vetëdorëzuar në Policinë e Tepelenës, duke dhënë shpjegimet e tij për dhunën që ushtroi ndaj mësuesit të edukimit fizik Laçi një ditë më parë.

Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, msohet se ai e ndërmori këtë veprim në kushtet e ndihmës që i pati kërkuar e motra e tij nxënëse në shkollën ku punonte si mësues 59-vjeçari.

Ndërkaq, ka dhënë dëshminë e saj edhe 13-vjeçarja e pretenduar se është ngacmuar seksualisht nga mësuesi i saj Kleanthi Laçi, me prezencë të psikologes.

Kleanthi Laçi, duke folur për mediat pas dhunës ndaj tij, tha se ngjarja kishte nisur që në momentin kur kishte dalë nga shtëpia dhe tre persona me një makinë e ftuan për të pirë një kafe.

Laçi tha se përveç markës së makinës tip ‘Audi’, nuk mbante mend të dhëna të tjera, ndërsa tha se në momentin që makina u largua në një distancë të konsiderueshme nga shtëpia e tij, tre personat e paidentifikuar e goditën në mënyrë të papritur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë