Ka ndodhur

Moti i keq / Pezullohet lundrimi i trageteve në portin e Vlorës, probleme dhe në Durrës

Gazeta Si – Kapiteneria e portit të Vlorës ka pezulluar lundrimin e tragetit Vlorë-Brindizi për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe erës së fortë.

Pas vendimit të autoriteteve, trageti nuk do të niset këtë të martë drejt Italisë siç ishte planifikuar.

Dy ditë më parë, ishte vendosur pezullimi vetëm për mjetet e vogla lundruese, ndërsa sot është pezulluar edhe udhëtimi i tragetit. Forca e detit jashtë gjirit të Vlorës shkon në 8 ballë.

Ndërkohë, kushtet atmosferike në Gjirin e Durrësit janë drejt përkeqësimit, ndaj kapiteneria detare në bashkëpunim me operatorët detarë ka marrë masat për sigurimin e anijeve dhe trageteve në kalatë.

Dy tragetet e linjës së Barit kanë mbërritur në kohë mëngjesin e kësaj të marte.

Një anije cisternë për shkaqe sigurie nuk mund të hyjë në port dhe po qëndron në radë, pas Kepit të Palit në pritje të qetësimit të erës që fryn nga jugu.

Aktualisht, deti regjistron forcën 6 ballë dhe lundrimet janë pezulluar që nga e hëna për anijet e tonazhit të ulët dhe të gjitha mjetet e sektorit të peshkimit. Sipas Kapitenerisë portuale të Durrësit, në orët e pasdites era do të forcohet dhe deti do të arrijë forcën 7-8 ballë.

Pavarësisht përkeqësimit në vazhdim të motit, nuk ka njoftim për shtyrje të orarit të nisjes së trageteve nga porti i Durrësit drejt Barit dhe anasjelltas.

Autoritetet detare respektive do të ndjekin situatën detare në orët e ardhshme për të vendosur rreth lundrimeve në Adriatik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë