Gazeta Si – Australian Open ka nisur me një lajm dramatik për publikun vendës. Beniamini i shtëpisë, Nik Kirgios, është tërhequr për një dëmtim në gju. Ishte një goditje e fortë për vetë tenistin dhe tifozët.
Kirgios, 28 vjeç, shihej si një nga favoritët, praktikisht si anti-Gjokoviç, por mes lotësh ai ka dhënë lajmin e dëmtimit të meniskut në konferencë shtypi. Ndeshjen e parë duhej ta luante ndaj rusit Roman Safiulin. Australiani tashmë duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe shpreson që të kthehet në fushë në mars.
Tenisti shpjegoi se ndeshja e ekzibicionit me Gjokoviç ishte një mënyrë për të kuptuar gjendjen e tij dhe se bëri gjithçka për të mos zhgënjyer fansat. “Jam i shkatërruar, – ka thënë Kirgios. – Duhej të ishte një nga turnetë më të rëndësishëm të karrierës sime, por duhet të mendoj për të ardhmen dhe nuk mund ta luaja i dëmtuar”.
Rafal Nadal, kokë serie numër 1, fitoi ndeshjen e parë ndaj talentit Xhek Draper, 21-vjeçarit anglez. Spanjolli iu përgjigj në mënyrën e tij edhe një herë atyre që e konsiderojnë ‘të mbaruar’. Nadal fitoi 7-5, 2-6, 6-4 dhe 6-1 pas 3 orësh e 41 minuta.
Hurkaz mundi në tre sete Martinez (7-6, 6-2, 6-2), Shapovalov i la një set serbit Lajoviç (6-4, 4-6, 6-4, 6-1), ndërsa Korda konfirmoi momentin e mirë, duke mundur pas 4 setesh kilenin Garin (6-4, 1-6, 6-3, 6-2. Pa probleme fitoi edhe Khaçanov kundër Zapata Mirales (7-6, 6-0, 6-2).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.