Nga Gazeta Si- Në Ministrinë e Kulturës paraditen e kësaj të premteje do të zhvillohet dëgjesa për drejtorin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Emrat që kandidojnë për këtë post janë pesë artistë të njohur. Ata janë Ema Andrea, Genci Fuga, Indrit Çobani, Gjergj Prevazi dhe Ledion Zoi.
Ministria e Kulturës hapi garën për drejtor në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” pas dorëheqjes së Altin Bashës, i cili kandidoi për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar.
Në faqen zyrtare të ministrisë konkursi u hap më 30 nëntor të vitit që lamë pas dhe thuhej se afati për dorëzimin e dokumenteve ishte deri në datën 16 dhjetor 2022. “Në zbatim të Ligjit 10352, datë 18.11.2010 “Për artin dhe kulturën”, i ndryshuar, si dhe kërkesave të procedurës së përcaktuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 07.03.2003 “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit”, Ministria e Kulturës shpall konkursin për pozicionin: Drejtor në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” - Kategoria e pagës II-b. Afati për dorëzimin e dokumenteve pranë Zyrës së Protokollit, në Ministrinë e Kulturës deri në datë 16. 12.2022”, thuhej në njoftimin e MK.
Sipas MK kandidatët duhet të plotësonin kërkesat e posaçme si: Të kishin mbaruar arsimin e lartë në degët e artit, menaxhimit të artit kulturor; të paktën 3 vite përvojë pune në profesion dhe/apo përvojë të konsiderueshme në drejtim, menaxhim dhe krijimtari në fushën e artit skenik, si dhe në drejtimin e projekteve kulturore; njohje të problemeve aktuale dhe sfidat e teatrit shqiptar me qëllim reformimin e tij përkrah modeleve më të mira bashkëkohore. Gjithashtu përvojë në ndërtimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me donatorë dhe grupe të tjera interesi, përvojë me teatrin e të rinjve dhe në programet e edukimit përmes kulturës, etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.