Drejtësia

‘Gërdeci’, familja Durdaj njihet me akuzën ndaj Fatmir Mediut në SPAK

Gazeta Si - Zamira dhe Feruzan Durda, burrë e grua që humbën djalin e tyre 7-vjeçar nga shpërthimi i fabrikës në Gërdec, kanë kohë që kërkojnë rihapjen e hetimeve.

Për këtë çështje, ata i janë drejtuar Prokurorisë së Posaçme këtë të martë, ku i është komunikuar përfundimi i hetimeve dhe rezultatet e tyre pas kërkesës për revokimin e çështjes për tragjedinë e 15 viteve më parë, që i mori jetën 26 personave të pafajshëm.

Sipas avokatit Dorian Matlija, familjes i është komunikuar në këtë takim konkluzioni i hetimeve, për t'u njohur me komunikimin e akuzës që i është bërë zyrtarisht një ditë më parë Fatmir Mediut, duke u marrë i pandehur për shpërdorim detyre.

"Ky proces është vënë në lëvizje nga familja Durda. Në këto momente na është komunikuar përfundimi i hetimeve dhe rezultati, që janë të ngjashme me momentin kur e pushoi Gjykata e Lartë. Kjo është thjesht çështje procedurale, asgjë më shumë se kaq, - tha avokati Dorian Matlija. - Ne do të marrim kohën që të shikojmë të gjitha veprimet e kryera. Do të vlerësojmë nëse do të kemi kërkesa ndaj prokurorisë që do t’i shërbejnë hetimeve dhe gjykimit. Sot na është komunikuar thjesht konkluzioni i arritur nga prokuroria. Nuk jemi njohur me dosjen ende. Kjo nuk është një çështje që u hetua tani, por një çështje e vjetër që u rihap nga Gjykata e Lartë”, - ka thënë avokati pas daljes nga SPAK.

SPAK e akuzon ish ministrin e Mbrojtjes për shpërdorim detyre lidhur me tragjedinë e rëndë që iu mori jetën disa personave ndërsa vetë ai është shprehur se nuk ka asnjë provë të re. Siç u shpreh ai dje në një deklaratë që dha për mediat, akuzat janë të njëjta me ato të vitit 2009.

“Më është prezantuar e njëjta akuzë. Ajo e 2009, akuzë e motivuar politikisht pa asnjë provë shtesë. Shpërdorimi i detyrës. Kam kërkuar që të pyetem që në fillim. Nuk jam pyetur për aktin e firmos ka 15 vjet. Motivimi politik është në akuzën e bërë. Nuk është urdhri i ministrit që ka bërë problem", - tha Mediu.

Në 15 mars 2008, rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve, humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike, përfshirë edhe fëmijë të zonës.

Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një betejë e gjatë dhe e ashpër nisi mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve.

Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.

Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”.

Vetë Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, që në zgjedhjet e 25 prillit u zgjodh deputet si pjesë e listave të Partisë Demokratike, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirjen e tij në çështjen “Gërdeci”.

Ai do të nisë së shpejti përpalljen me drejtësinë, pasi Prokuroria e Posaçme e thirri dhe i komunikoi akuzat zyrtare ish-ministrit.

Mediu dyshohet për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “shpërdorim detyre në bashkëpunim me kuadrin komandues ushtarak”.

Deputeti qëndroi përballë prokurorëve të SPAK për gati 1 orë dhe më pas ka bërë edhe një komunikim me mediat.

Gjatë fjalës së tij, Mediu bëri me dije se i është komunikuar e njëjta akuzë si në 2009, madje e firmosur nga po të njëjtët prokurorë.  Gjithashtu ai deklaroi se akuzat janë politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë