Noma, një nga restorantet më të njohur në botë, të cilin e drejton shqiptari Rene Rexhepi do të mbyllë dyert vitin e ardhshëm.
Që nga hapja dy dekada më parë, restoranti në Kopenhagë, i njohur për ndryshimin e menuve në çdo sezon sepse përdoren produkte të sezonit, kryesoi listën e 50 restoranteve më të mirë në botë pesë herë, për herë të fundit në 2021.
Por pas vitesh shërbimi, Rene Rexhepi ka deklaruar se në fund të 2024 restoranti do të mbyllet për të ndërtuar atë që ai e quan një “laborator gjigant”, i quajtur Noma 3.0.
“Do të jetë një kuzhinë testuese, dedikuar inovacionit të ushqimit dhe zhvillimit të shijeve të reja, që do të tregojë frytet e përpjekjeve tona më shumë se kurrë”, shkruhet në njoftimin e restorantit në rrjetet sociale.
“Qëllimi ynë është të krijojmë një organizatë të përkushtuar ndaj punës novatore në ushqim, por edhe të ripërcaktojmë themelet për një ekip restoranti, një vend ku mund të mësosh, të rrezikosh dhe të rritesh”, shkruhet më tej.
Noma 3.0 ka qenë në fazën e planifikimit për dy vitet e fundit.
“Nëse pandemia na ka mësuar diçka, është se sa të brishta mund të jenë ëndrrat tona, sa rraskapitëse dhe e vështirë mund të jetë kjo industri”, tha Rexhepi pas marrjes së çmimit ‘Restoranti më i mirë në botë në 2021’.
Duke lënë të kuptohet për ndryshimin në atë kohë, ai tha se ekipi kishte “kaluar një vit e gjysmë duke ëndërruar për diçka dhe tani ka ardhur koha ta ndërtojmë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




