Ka ndodhur

Moti i keq, rrëshqitje dheu dhe gurësh në Shkodër. Në Theth, Dibër e Korçë nis dëbora

Gazeta Si - Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në fillim të javës, ka pasur rrëshqitje të dherave dhe gurëve në segmentin rrugor Mes-Ura e Shtrenjtë në Njësinë Administrative të Postribës në qarkun Shkodër.

Kjo rrugë lidh Shkodrën me Dukagjinin dhe aktualisht po punohet për pastrimin e saj nga fadromat e Bashkisë Shkodër. Ndërkohë ka nisur dëbora e parë për këtë vit në Dibë, Korçë dhe Theth.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat, thuhet se përmes firmës kontraktore, bashkia ka nisur punën për pastrimin e dherave e gurëve, që sa më parë kjo rrugë t’i kthehet normalitetit në qarkullim. Bashkia fton banorët e zonës dhe udhëtarët të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve në këtë segment rrugor.

Dëme ka patur në këtë njësi edhe në kanalin vaditës ku po bëhen verifikimet përkatëse për të nisur më pas riparimet.

Ndërkohë në zonat malore si Theth dhe Vermosh ka patur reshje dëbore, por nuk raportohen probleme në qarkullim.

Dibër

Temperaturat janë ulur ndjeshëm edhe në Dibër e Bulqizë, ku kanë nisur reshjet e para të dëborës për vitin 2023.

Reshjet janë në lartësinë 700 metra mbi nivelin e detit. Reshje e dëborës ka edhe në afërsi të minierave të zonës D, në minierat e Martaneshit si dhe të Tërnovës.

Policia lokale bën thirrje drejtueseve të automjeteve që transportojnë minatorët të kenë kujdes dhe të përdorin zinxhir në rast nevoje pasi terreni është i vështirë!

Gjatë natës ka patur edhe reshje shiu qarku Dibër por nuk raportohet për dëme apo bllokime rrugësh në zona malore.

Korçë

Mbrëmja e djeshme ka sjellë reshjet e para të dëborës në Korçë për këtë vit. Reshjet e borës kanë rënë në lartësinë 1250 metra, përfshirë këtu edhe segmentin rrugor nga muri i Musait e deri në Dardhë.

Dëborë ka pasur në Shtyllë e deri në majë të Mashkullorës, ashtu siç ka pasur edhe në fshatrat e Vithkuqit, si dhe në fshatrat rrëzë malit të Gramozit në Kolonjë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar sektori Korçë, bën me dije se është punuar gjatë natës për pastrimin dhe kriposjen e rrugës së Dardhës, aty ku trashësia e borës ka shkuar deri në 10 cm.

Nga ana tjetër nga ana e bashkisë Korçë, është punuar edhe për pastrimin e rrugës nga Vithkuqi në Shtyllë dhe më tej edhe drejt majës së Mashkullorës.

Nuk raportohen probleme përsa i përket lëvizjes në fshatrat e thella ku ka pasur edhe reshje dëbore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë