Lojëra me Dore

Video/ Novak Gjokoviç zihet me menaxherin dhe vëllanë në tribunë: Dil jashtë!

Gazeta Si – Novak Gjokoviç e filloi vitin 2023 në mënyrën më të mirë, duke fituar me përmbysje turneun e Adelaide, që për të është i 92-ti në karrierë, si Rafael Nadal. Por lajmi i finales nuk është fitorja ndaj Sebastian Kordas 6-7, 7-6 dhe 6-4, pas 3 orë e 9 minutash lojë.

Lajm është zënka e serbit me menaxherin e tij pas setit të parë të humbur. Gjokoviç shpërtheu në italisht kundër vëllait Marko dhe e menaxherit Edoardo Artaldi: “Jashtë, dil jashtë! Po, ti, dil jashtë!” – ulëriti ai ndaj të dyshes që pas pak sekondash u detyrua të braktiste shkallët.

Diskutimet vazhduan në distancë me trajnerin Goran Ivaniseviç dhe me vëllanë Marko, i cili u kthye në setin e dytë. Në fund Gjokoviç përmbysi gjithçka, duke anuluar edhe një ‘match-point’. Pas pikës së fundit 35-vjeçari festoi duke bërë gjestin e forcës mentale që ushqehet edhe nga zemërimi, nervat dhe dëshira për të mos u dorëzuar kurrë.

Me suksesin në Adelaide, Gjokoviç barazoi Rafael Nadalin në vendin e 4-t për turnetë e fituar, në një klasifikim që udhëhiqet nga Konors (109), përpara Federer (103) dhe Lendl (94).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë