Ana e errët

E rrëmbeu, e dhunoi dhe e mbajti peng. Agresori tradhëtohet nga fotografitë që i bëri specialistes së bashkisë

Nga Gazeta Si - Kjo është historia e një 30 vjeçareje e cila punon në zonën e Matit si specialiste për dhënien e ndihmës ekonomike. Ajo u përpoq të ndihmonte njërin prej tyre që pretendon se u rrit me prindër të divorcuar dhe në kushte të rënda ekonomike, por që në përfundim ai vetëm për vonesën ja shpërbleu në mënyrën më të tmerrshme.

E rrëmbeu me makinë dhe duke e çuar në një vend malor, e detyroi të zhvishej e të kryente veprime të turpshme të cilat i fotografoi.

Kjo situatë zgjati për gati gjashtë orë derisa e reja arriti të shkëputet prej tij e të kryejë telefonatën shpëtimtare.

Për Gazetasi.al u vendos në dispozicion dosja e rëndë, për të cilën në fund 50 vjeçari D.M u shpall fajtor për dhunë seksuale dhe për heqje të paligjshme të lirisë duke u dënuar me një total prej pesë vitesh.

Ngjarja ka ndodhur në fshatrat e bashkisë Klos thuhet në dosje dhe agresori është një burrë i divorcuar që këmbënguli gjatë gjykimit se e reja po aktronte dhe se kishte hipur me dëshirën e saj në automjet.

Madje ai arriti deri aty saqë ngriti para gjykatës alibinë se 30 vjeçarja e sajoi të gjithë këtë gjë për t’u arratisur nga Shqipëria dhe për të përfituar azil në Evropë duke qenë se një histori të tillë nuk e falte askush në fshatrat e Klosit. 

Por 50 vjeçari u tradhëtua nga kqyrjet e policisë shkencore në telefonin e tij, ku vajza shfaqet e tmerruar në sediljen e pasme të makinës teksa ai e fotografon dhe ajo sekuencë pas sekuence duket e trembur teksa heq rrobat e në një çast shfaqet në këto fotografi në gjendje të lakuriqtë duke tentuar që të fshehë me duar pjesët intime.

30 vjeçarja identitetin e së cilës Gazetasi.al e disponon por nuk do ta bëjë publik së bashku me fshatin ku ndodhi ngjarja, thotë se i akuzuari D.M u paraqit herët në mëngjes në sportel për t’i kërkuar një certifikatë familjare për të aplikuar për ndihmë ekonomike si dhe i ka kërkuar që ajo ta ndihmojë në nxjerrjen e dokumentacionit përkatës.

Gjatë këtyre kërkesave në zyra ka patur edhe punonjës të tjerë që kanë parë se si e reja e orientoi dhe e ndihmoi për dokumentacionin. Kur ajo lëvizi nga zyrat në korridor u shkëmbye me 50 vjeçarin e divorcuar që e paralajëmëroi : “Nëse pas aplikimit nuk dal fitues, gjej vend dhe futu.”

“Nuk fola fare – kujton 30 vjeçarja, dhe nuk e mora seriozisht”.

Pasi ajo mbaroi orarin zyrtar ka lëvizur në këmbë nga zyrat e bashkisë drejt shtëpisë së saj. Por gjatë rrugës i ka ndaluar tek këmbët një automjet tip mercedez benz, dhe sipas kallzueses pa se shofer ishte burri që kërkonte ndihmë ekonomike.

“Mu drejtua me fjalët shefe dhe më tha a mund të vish ta marrësh fotokopjen e kartës së identitetit dhe m’u lut që ta sqaroja edhe njëherë për dokumentat . Mu lut t’i tregoja sa mund të zgjaste aplikimi dhe hapi derën e pasme duke mu lutur t’i shikoja ulur në makinë dokumentat”, deklaron në polici 30 vjeçarja.

E përkushtuar për ta ndihmuar, e reja ka hipur në makinë dhe ka nisur t’i studiojë dokumentat për të kuptuar nëse i kishte të gjitha apo jo.

“Sapo i thashë që i kishte në rregull dhe më duhet të largohesha e sakaq ai po më drejtohej me shefe, ai i dha gaz makinës me shpejtësi dhe u largua. Nisa të qaja dhe ju luta të më linte të lirë, por ai u përgjigj se më kishte në dorë dhe do bënte ç’të donte me mua”.

Specialistja detajon më tej udhëtimin e tmerrshëm drejt një fshati tjetër në Klos derisa kanë ndaluar në një zonë të pabanuar. 50 vjeçari i ka hequr telefonin dhe kur ajo tentoi të largohej, e ka goditur me grushta dhe e ka rrahur, shenja këto që konfirmohen edhe nga mjekësia ligjore.

“Më shtyu me forcë, më hoqi rrobat, më theu syzet dhe nisi të më kafshojë në të gjithë trupin. Këto veprime kanë zgjatur kohë dhe kam rezistuar, ai bëri veprime të turpshme me mua, dhe unë bëra rezistencë. E tmerruar e shtyja dhe sa herë e shtyja ai më rrihte dhe më tërhiqte nga flokët.

Bëri fotografi me pjesët intime në fytyrën time dhe duke më kërcënuar me një thikë më fotografonte”, shpjegon e reja tmerrin.

Në këtë moment kur ka parë se fuqitë po i shteronin dhe se mbrëmja po afronte ajo i është lutur rrëmbyesit që ta lërë sa të kryente nevojat personale dhe se pas kësaj ai mund të bënte çfarë të donte me të.

“Kur D. shkoi të më sjellë ujë ishte ora rreth 19.00 dhe rrëmbeva telefonin e tij që kishte rënë në sedilje dhe telefonova mamanë time, ishte i vetmi numër që mbaja mend. I thashë vendin ku mund të isha dhe i thashë emrin e njeriut që më rrëmbeu”, përmendet në dosjen që Gazetasi.al ju vu në dispozicion.

“Ai më gjeti në telefon dhe më tha do të qr, më pyeti kë kisha telefonuar dhe më njoftoi se edhe sikur goca e tij të vdiste ai nuk rrinte pa më bërë gropën për mashtrimin që i bëra.

Më tha i bëre gropën vetes. Më tha më mirë të kisha kryer marrëdhënie me të se sa në atë moment do njoftonte dhjetë të tjerë që do më përdhunonin në grup”.

Fotografitë ku 50 vjeçari e tërhoqi zvarrë duke e nxjerrë nga makinë e duke e përplasur në tokë evidentohen si prova të dhunës barbare që ai ushtroi ndaj saj.

“Gjatë kohës që kryente këto veprime e shikova që piu një lëng dhe që pinte cigare duke u dridhur. Pastaj i ra telefoni dhe dikush nga policia i kërkoi adresën se ku gjendej. Po rrija e qetë sepse e kuptova që mamaja kishte njoftuar policinë”.

Bëhet me dije në fashikull se rrëmbyesi është dorëzuar menjëherë nga kjo telefonatë e policisë dhe ka treguar adresën .

Kur policët mbërritën e gjetën të renë të veshur dhe duke u dridhur – thuhet më tej duke u kujtuar dëshmitë e policëve të cilët morën telefonat e të dyve dhe më pas arrestuan të dyshuarin.

Ky i fundit gjatë gjykimit tentoi të fitojë pafajësinë me pretendimin se specialistja e bashkisë kishte hipur me dëshirë në makinë.

“Ajo i hoqi vetë rrobat, e ka dashur dhe dëshiruar diçka të tillë dhe nuk mundëm të bëjmë gjë pasi ishte me ato” deklaron në gjykatë rrëmbyesi.

Por provat nuk janë aspak pro tij.

Ashtu si edhe përshkrimi që ai i bën vetes duke folur me nota pozitive.

“Jam rritur vetëm pasi prindërit m’u divorcuan shumë herët, jam i parrezikshëm, jam person i padënuar më parë. Kam vuajtur në jetë për mos të thënë që kam jetuar si endacak. Aq i varfër kam qenë dhe kurrë nuk kam kryer vepra penale. Për të mos thënë që bukë e ujë më ka dhënë komuniteti ku jetoj” deklaron i akuzuari, frazat e të cilit nuk u morën parasysh mbasi nuk provohen.

Aq më tepër që gjatë gjykimit ai tentoi të mbrohej duke justifikuar me personalitetin e viktimës që sipas tij ishte provokuese.

 “Jam invalid dhe këtë mund ta provoj me aktet e bashkisë së Klosit, jam në gjendje të vështirë ekonomike dhe kam nivel të ulët arsimor”, thotë më tej i dyshuari.

Por në përfundim gjykata e shpalli fajtor sepse çdo fotografi e kqyryr nga telefoni i tij tregonte se si vajza kërcënohej me një thikë e se si në fytyrë ajo shfaqet e tmerruar dhe e frikësuar duke qarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë