Lojëra me Dore

Martina Navratilova në betejën e jetës, ish-kampionia ka dy tumore në trup

Gazeta Si – Martina Navratilova, ish-kampionia e madhe e tenisit me 18 turne Slam të fituar, është diagnostikuar me kancer në gjoks dhe në fyt. Ish-sportistja 66-vjeçare çeke, e natyralizuar amerikane, është rrëfyer për ‘The Times’.

Dy format e tumorit i janë diagnostikuar në nëntor të 2022-shit, pas disa shenjave që i ishin shfaqur në qafë. “Është një goditje e dyfishtë e rëndë, por ende e zgjidhshme, – ka thënë Navratilova. – Shpresoj në një fund pozitiv. Është e dhimbshme, por do të luftoj më të gjitha forcat”.

Martina Navratilova, 66 vjeç. Gazeta Si, 4 janar 2023

Navratilova 13 vjet më parë kishte kaluar një situatë të tillë, duke mundur një tumor në gjoks pas një cikli radioterapie.

Një zëdhënës i ish-tenistes ka bërë me dije se “të dy tumoret janë në fazë fillestare, në stadin e parë. Martina do të fillojë trajtimin mjekësor këtë muaj. Tipi i tumorit është ‘HPV’, një formë tumori që u përgjigjet mirë trajtimeve”.

Martina Navratilova, e cila ka fituar 9 herë Uimbëlldonin, nuk mund të jetë e pranishme në ‘Australian Open’ në Melburn, ku duhej të punonte si opinioniste televizive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë