Lojëra me Dore

Sabalenka e irrituar: Na mohuan Uimbëlldonin, por lufta vazhdon edhe sot!

Gazeta Si – “Skualifikimi ynë nga Uimbëlldoni nuk ka ndryshuar asgjë, lufta vazhdon”. Tenistja bjelloruse, numri 5 në botë, Arina Sabalenka, është një nga yjet që nuk mundi të luante në barin e Londrës vitin e kaluar. Organizatorët vendosën të përjashtonin sportistët rusë dhe bjellorusë pas pushtimit rus të Ukrainës.

Tani Sabalenka e kritikon edhe më ashpër këtë vendim: “Jam shumë e zhgënjyer që sporti bëhet në një farë mënyre pjesë e politikës, – tha ajo për të përditshmen australiane ‘The Age’. – Jemi vetëm sportistë. Kaq. Nuk merremi me politikë. Nëse të gjithë ne do mund të bënim diçka për ta ndalur luftën, do ta bëjmë, por nuk kemi asgjë në dorë”.

Tenistja bjelloruese, Arina Sabalenka. Gazeta Si, 1 janar 2023

Sabalenka ishte një nga lojtaret më të mira që nuk mundi të merrte pjesë në Uimbëlldon. Një zgjedhje që ‘All England Lawn tennis Club’ e pagoi me një gjobë, ndërkohë që u fshinë pikët në klasifikim nga ana e ATP-së dhe WTA-së.

Nuk është bërë ende e ditur, nëse vendimi është në fuqi edhe për edicionin e radhës. Sabalenka shpreson shumë që të luajë në turneun Slam në bar. “Askush nuk e mbështet luftën. Ka qenë një periudhë e vështirë për të gjithë. Na vjen keq, sepse atmosfera në Uimbëlldon është fantastike. Shpresoj shumë të luaj këtë vit”, – përfundoi tenistja bjelloruse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë