Ka ndodhur

Zjarrvënie të qëllimshme në Vlorë, shkrumbohen 3 makina dhe digjet një dyqan mallrash

Gazeta Si - Tre makina dhe një dyqan me mallra industriale janë djegur gjatë natës në Vlorë në dy incidente të ndryshme, ku zjarrvëniet kanë qenë të qëllimshme.

Ngjarja e parë ka ndodhur në lagjen “24 Maji” rreth orës 02:00. Makinat kanë qenë të parkuara dhe janë në pronësi të biznesmenit me iniciale Z.K.

Nga filmimet e kamerave të sigurisë, dallohen qartë dy persona që shkojnë në drejtim të mjeteve gjatë natës dhe i vendosin flakën.

Mësohet se nga flakët janë përfshirë dy furgonë dhe një autoveturë, ndërsa bizesmeni dyshon për zjarrvënie për shkak të konkurencës.

Në ngjarjen e dytë, policia ka shpallur një person në kërkim, pasi i vuri zjarrin një dyqani dhe tentoi të digjte një makinë në pronësi të të njëjtit pronar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, pas veprime të shpejta hetimore, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të shtetasit Q. M., 39 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë”, njoftoi policia.

39-vjeçari, në orët e para të mëngjesit, dyshohet se në lagjen “Hajro Çakërri”, i ka vënë zjarrin një dyqani shumice me mallra industrialë, në pronësi të F. V., 65 vjeç.

Për shkak të flakëve janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Gjithashtu, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në afërsi të banesës 65-vjeçarit, i riu ka tentuar të djegë edhe automjeti e markës “Toyota”, po në pronësi të këtij shtetasi.

Deri më tani policia nuk bën me dije arsyet se pse i riu ka dashur të djegë dyqanin dhe makinën e 65-vjeçarit. Uniformat blu thonë se po vijojnë hetimet dhe po punohet për kapjen e autorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë