Ka ndodhur

Helmohen nga uji në një lokal në Shkodër 3 persona. UKSH: Ishte i ambalazhuar nga një kompani private

Gazeta Si - Tre persona në Shkodër, nënë e bir dhe kamerieri i një lokali, kanë përfunduar në spital me shenja helmimi nga uji i konsumuar.

Uji dyshohet se përmbante lëndë djegëse, ndërsa Ujësjellësi në Shkodër, sqaron se personat e kontaminuar janë helmuar, pasi kanë konsumuar ujë të ambalazhuar nga një kompani private.

Policia thotë se në Spitalin Rajonal Shkodër, janë paraqitur për ndihmë mjekësore, shtetasja A.Z., 41 vjeçe dhe djali i saj, shtetasi A.Z., 14 vjeç, banues në Malësi të Madhe, si dhe M.M., 30 vjeç, kamerier i lokalit.

Sipas policisë, nënë e bir janë dërguar në Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore. Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, në shishen e ujit mendohet të ketë pasur lëndë djegëse, pasi sipas bluzave të bardha të Spitalit Rajonal Shkodër, pacientët kishin djegie në ezofag dhe stomak.

Hoteli dhe restoranti ku ata janë helmuar, ndodhet në qendër të Shkodrës. Me udhëzimin e Prokurorisë së Rrethit Shkodër, të mbështetur nga AKU-ja, është bërë bllokimi i subjektit.

Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar edhe Ujësjellësi i Shkodrës, i cili shpjegon se helmimi ka ardhur nga konsumimi i ujit të ambalazhuar.

“Ujësjellës Kanalizime Shkodër, në kuadër të transparencës dhe komunikimit me klientët e vet, sqaron opinionin publik lidhur me një lajm që është shpërndarë minutat e fundit: personat nënë e bir dhe një kamerier, janë intoksikuar pasi kanë konsumuar ujë të ambalazhuar nga një kompani. Kjo konfirmohet edhe nga Prokuroria dhe AKU-ja, që bashkërisht po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. UK Shkodër, siguron klientët për cilësinë e ujit, monitoruar periodikisht nga specialistë të Drejtorisë së Shëndetit Publik Shkodër”, thuhet në reagimin e Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë