Teater

‘Jesus Christ Superstar’, musicali që sjell atmosferë feste në Teatrin Kombëtar

Nga Gazeta Si - Magjia e festave do të vijë e rrëfyer përmes muzikës rock në Teatrin Kombëtar. “Jesus Christ Superstar” titullohet musicali që do të shfaqet premierë në skenën e Teatrit me rastin e festave të fundvitit.

Kjo shfaqje e zhanrit musical është një produksion që mbart të gjithë elementët festivë dhe mban vulën regjisoriale të Altin Bashës.

Sipas Bashës kjo rock-opera është një nga kryeveprat e artit modern dhe me suksesin e saj njihet si vepra që transformoi historinë e teatrit muzikor.

“Është kompozuar nga Andrew Lloyd Weeber dhe ka vargje të Tim Rice. Shumë pak albume muzikore kanë pasur një impakt kaq të gjerë sa kjo vepër. Subjekti i saj lidhet me ditët e fundit të Jezusit, të para nga perspektiva e Judës, njeriut që tradhtoi. Personazhi i Jezusit paraqitet si shumë njerëzor, i ndjeshëm dhe i prekshëm nga ngjarjet që e përcjellin nga tradhtia te vdekja e tij”, shprehet regjisori Altin Basha për Gazetën “Si”.

Komploti vazhdon më tej kur apostulli famëkeq Juda Iskarioti shqetësohet nga ndjekësit gjithnjë e më të çmendur të Jezusit, duke parashikuar saktë se ata mund të kërcënojnë Perandorinë e fuqishme Romake dhe të ndëshkohen. Apostujt e tjerë presin me ankth të hyjnë në Jeruzalem së bashku me Jezusin dhe kërkojnë të pyesin për planet e tij, por Jezusi u thotë atyre të qetësohen dhe të shqetësohen më pak për atë që do të vijë...

Regjisori Basha thotë se kritika dhe historia e artit e ka përcaktuar “Jesus Christ Superstar” si një fenomen global artistik.

“Jo vetëm subjekti shumë tërheqës, por edhe cilësia shumë e lartë e këngëve dhe teksteve të tyre, e kanë bërë këtë vepër t’i rezistojë kohës. Edhe pse kanë kaluar 50 vjet nga krijimi i saj, ajo mbetet e magjishme”, shton ndër të tjera Basha.

Një orkestrim i Jusiald Xhanit që nën kujdesin e maestros Suzana Turku interpretohet krejtësisht live nga emra të rinj si Ervis Saliasi, Egzona Ademi, Amri Asanlliu e te tjerë të cilët kanë për qëllim të mos e lejojnë publikun të qëndrojë i ulur.

“E veçanta e kësaj është se në qoftë se ne dikur kemi vënë opera, opereta, pjesë koncertale ky është një musical, nga fillimi në fund një rock musical dhe mua më pëlqen sepse po e këndojnë me shumë dëshirë dhe shumë qejf”, thotë Suzana Turku.

Të gjithë elementët e shfaqjes do të jenë live, teksa koreografia i është besuar emrave të rinj të talentuar Sara Koçi dhe Luisa Dinellari.

“Jesus Chist Superstar” do të presë publikun në skenën e Teatrit Kombëtar nga data 28 deri më 30 të muajit dhjetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë