Drejtësia

Kërkoi lirinë, Gjykata e Lartë lë në burg rusin e dyshuar për spiunazh

Gazeta Si - Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” për rusin e dyshuar për spiunazh, Mikhail Zorin.

Ai i ishte drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë për një masë më të butë sigurie, kërkesë që nuk është pranuar duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës se Apelit Durrës.

Më herët Gjykata e Lartë ka rrëzuar edhe kërkesën e ruses tjetër, Svetlana Timofeeva dhe ukrainasit Fedir Aplatov.

Pak ditë më parë, Rusia i ka kërkuar Shqipërisë ekstradimin e 33-vjeçares Timofeeva e arrestuar edhe ajo në uzinën e armëve në Gramsh.

Tre të rinjtë u arrestuan pas incidentit në uzinën e armëve në Gramsh, ku sulmuan rojet me spraj neoparalizues.

Ata po hetohen nga Prokuroria e Elbasanit dhe dyshohet se janë të dërguar të shërbimeve inteligjente për të mbledhur informacione sekrete në Shqipëri, kryesisht për infrastukturat kritike.

Të tre u vunë në pranga dhe akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim .

Të tre u arrestuan nga policia në 20 gusht, ndërsa u hetuan edhe si spiunë të shërbimit sekret rus.

Me dyshimin se tre miqtë, gjendeshin në Shqipëri me detyrën për të kryer spiunazh, grupi i hetimit ka prova të forta se ata kanë fotografuar dhe baza të tjera ushtarake në gusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë