Ka ndodhur

Aksidentoi për vdekje 17-vjeçarin, arrestohet ish-kryebashkiaku i Himarës Vasil Bollano

Gazeta Si - Ka ndërruar jetë në spitalin e Tiranës 17-vjeçari, i cili u përplas për vdekje me makinë nga ish-kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano.

Ky i fundit është arrestuar nga policia, e cila e akuzon për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

I mituri u aksidentua mbrëmjen e të mërkurës dhe u transportua drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ku edhe ndërroi jetë gjatë orëve të natës.

Aksidenti ndodhi në Llogora, ku ish-kryebashkiaku i Himarës, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, përplasi të miturin me iniciale E.H.

17-vjeçari ka qenë duke kaluar rrugën për të shkuar tek lokali i gjyshes së tij, i cili ndodhet në afërsi të fushës së sportit në Llogora.

Në atë moment Vasil Bollano ka kaluar në këtë aks rrugor dhe e ka përplasur.

Vasil Bollano është kryetar i Omonoias, Unioni Demokratik i Minoritetit Grek dhe përfaqësues i grekëve që jetojnë në Shqipëri.

Omonoia është një organizatë sociale, politike dhe kulturore në Shqipëri që promovon të drejtat e minoritetit grek në jug të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë