Gazeta Si - Një 67-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë Kufitare të Portiti të Durrësit, pasi është kapur duke kontrabanduar në mënyrë ilegale 31 ora të markave të shtrenjta.
Po ashtu, atij i janë gjetur kuti me lëndë piroteknike (780 fishekzjarre dhe kapsolla) dhe mallra të tjera të kontrabanduara.
Policia bën me dije se i arrestuari transportonte edhe një shtetas 37-vjeç, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme.
Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Vigjilje”u arrestuan në flagrancë shtetasit B. R., 67 vjeç, banues në Tiranë dhe R. M., 37 vjeç, banues në Durrës.
"Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port Durrës, në automjetin që drejtonte shtetasi B. R., u gjetën 31 ora të markave të shtrenjta, 6 kuti me lëndë piroteknike (780 fishekzjarre dhe kapsolla) dhe mallra të tjera të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim, gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kapën shtetasin R. M., i cili transportohej nga 67-vjeçari, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit", - njoftoi policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.