Opinion

Luftoi apo ushqeu populizmin? Për çfarë do të mbahet mend Merkel?

Nga Emily Schultheis – “Unë nuk kam lindur Kancelare dhe asnjëherë nuk e harroj këtë”. Këto ishin fjalët që tingëlluan më fort në fjalimin e Angela Merkel këtë javë, kur ajo njoftoi se nuk do të kërkonte një tjetër mandat në krye të Gjermanisë.

E thënë nga dikush tjetër, kjo fjali nuk do të tingëllonte e çuditshme, por e shqiptuar nga goja e politikanes që ka dominuar politikën gjermane dhe atë europiane prej më shumë se 13 vitesh tingëllon e tillë.

Vërtet Angela Merkel nuk ka lindur një Kancelare, por për gjermanët, europianët dhe pjesën tjetër të botës koha kur në krye të ekonomisë më të madhe në Bashkimin Europian ishte një tjetër person duket fort e largët.

Merkel mori detyrën si e para grua në historinë e Gjermanisë që ngjitej në postin më të lartë ekzekutiv në vitin 2005 dhe gjatë gjithë periudhës në pushtet është përballur me kriza që edhe për një politikan të fortë do të ishin tejet sfiduese. Kancelarja u përball me krizën financiare, që i shpërtheu në fund të mandatit të parë, më pas me fluksin e refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut dhe në fund me “rilindjen” e populizmit të së djathtës ekstreme.

Në një kohë që Gjermania, Europa dhe mbarë bota po mendojnë dhe analizojnë çfarë të presin në atë që në gjermanisht e kanë pagëzuar si “Merkeldammerung”, e përkthyer “Muzgu i Merkelit”, analiza e trashëgimisë së Kancelares është një sipërmarrje e ndërlikuar.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel

Merkel është cilësuar gjithmonë si një shtyllë e qëndrueshme në kohë trazirash, një politikane e fortë dhe e pamposhtur që ndihmoi në forcimin e politikës dhe ekonomisë së vendit të saj, por edhe diktoi drejtimin e ndjekur nga Bashkimi Europian.

Ky imazh i një gruaje të hekurt, të vendosur dhe me ide të qarta në krye të Gjermanisë dhe të BE-së u godit fort në 2015, gjatë krizës së refugjatëve. Pikërisht vendimet e veprimet e saj gjatë kësaj krize janë arsyeja kryesore e krijimit dhe forcimit të një mjedisi të paqëndrueshëm politik sot edhe në Gjermani.

Një bilanc më i qartë i trashëgimisë së kancelares do të mund të arrihet në vitin 2021, nëse nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme në Gjermani, por sot mund të bëhet një përllogaritje paraprake e thjeshtuar duke u përgjigjur pyetjes se për çfarë do të kujtohet Angela Merkel? A do të mbahet mend ajo si gruaja që ndihmoi në ndërtimin e rendit aktual të botës liberale, apo si gruaja e cila me vendimet e saj e vendosi në rrezik këtë rend? Apo apo që të dyja?

Në mandatin e parë qeverisës, Angela Merkel ruajti një profil të ulët dhe larg ideologjive. Por, me kalimin e viteve u shndërrua në një figurë mjaft e polarizuar, në Gjermani dhe jashtë Gjermanisë. Për disa ajo është “Nëna dhe Mbretëresha e Europës”, e cila ndihmoi Gjermaninë që të kapërcente krizën ekonomike të 2008, madje të lulëzonte ekonomikisht në një kohë kur vendet e tjera të Bashkimit Europian dhe botës përballeshin me recesione të thella.

Për këtë grup, Merkel është “Kështjella” e fundit në mbrojtjen e rendit dhe institucioneve të botës liberale dhe ja ka dalë mbanë që ta realizojë këtë përballë sfidave të vështira si Brexit apo Donald Trump.

Për kritikët e saj, e gjithë puna e saj rrëzohet me vendimet e marra në 2015-2016, kohë kur vendosi që të pranojë në Gjermani 1 milionë refugjatë, si kundërshembull ndaj vendeve të tjera të BE-së që po mbyllnin dyert e emigracionit një nga një.

Pikërisht këto vendime, thonë qortuesit e Kancelares shtruan petale në rrugën e ringritjes së Alternativës për Gjermaninë, AfD, forca e ekstremit të djathtë. Për këtë forcë, por edhe për Donald Trump, Angela Merkel është njeriu që hapi derën e madhe për “kaosin dhe krimin” në Bashkimin Europian.

“Gjermanët po u kundërvihen udhëheqësve të tyre dhe emigracioni ka përçarë koalicionin. Krimet në Gjermani janë rritur. U bë një gabim i madhe në të gjithë Europën duke lejuar miliona njerëz që po i ndryshojnë me forcë e dhunë kulturës Europës”, shkruante Donald Trump në Twitter në qershor të këtij viti.

Përgjatë gjithë periudhës në krye të Gjermanisë, Angela Merkel ka patur momentet e saj të paradoksit. Me ambicien dhe aftësinë e saj politike ajo shtypi me radhë rivalët e saj, që përballë figurës së kancelares ndjesheshin tepër të vegjël. Por, ky avantazh i Angela Merkel mund të prodhojë pasoja për Gjermaninë.

Angela Merkel largohet duke e lënë vendin pa një trashëgimtar të dukshëm, pa një figurë të denjë që mund ta zëvendësojë. Nga mungesa e një figure që t’i kundërvihen, nga ky boshllëk mund të përfitojnë ekstremistët dhe kjo do të ishte hera e dytë që Kancelarja me “pavetëdije” do të çonte ujë në “mullirin” e AfD-së.

Hera e parë ishte thirrja për hapjen e kufijve për refugjatët e luftës në Siri, një thirrje që kumboi në veshët e ekstremistëve, që në agjendë parësore kanë shkatërrimin e rendit aktual liberal.

Angela Merkel do të mbahet mend edhe si njeriu që e zhvendosi partinë e saj, CDU nga një parti të së djathtës, në një parti të qendrës, duke u përqendruar fort tek çështje si energjia e rinovueshme dhe emigracioni.

Por, kjo zhvendosje ideologjike krijoi shpejt një vakuum që duhej mbushur në kahun e djathtë dhe këtë e shfrytëzoi më së miri AfD, që sot ka 92 deputetë në Bundestag, si asnjëherë më parë në histori dhe nga kjo fundjavë do të ulet në të gjitha parlamentet e landeve gjermane.

Angela Merkel gjate nje konference me anetare te tjere te partise se saj

Një tjetër trashëgimi e lënë pas nga Kancelarja gjermane është refuzimi i saj i vazhdueshëm për të veprua e menduar si ‘grua’. Ajo njihet si kundërshtare e lëvizjeve feministe dhe ka refuzuar çmimet e dhëna prej këtyre lëvizjeve. Por, kjo nuk e bëri asnjëherë inferiore përballë udhëheqësve të tjerë botërorë, përkundrazi e forcoi figurën e saj akoma më shumë.

Edhe vendimi për t’u larguar është i mirëmenduar dhe një strategji e kancelares për të mos shkaktuar ndryshime drastike në vend. Në dhjetor ajo largohet nga udhëheqja e partisë së vet, ndërsa nëse të papriturat shmangen, në 2021 mbyll edhe mandatin e katërt në krye të Gjermanisë.

Por nuk ka asnjë dyshim se fundi i epokës së Merkelit në politikën gjermane, qoftë ajo me zgjedhjet e reja në vitin 2021 ose më parë, do të rezultojë me një shkundje të të gjithë klasës politike gjermane. Sesi Merkel do të mbahet mend do të varet shumë nga çfarë vjen pas saj: A do të rrëshkasë Gjermania dhe Europa më tej në kaosin politik të nxitur nga forcat populiste të krahut të djathtë? A do të rezistojë ideja e një Europe të bashkuar, që ka nxitur Merkel? Tani për tani, një përgjigje shteruese për këto dy pyetje vështirë të gjendet.

Merkel është ende në qendër të këtyre pyetjeve, të cilave nuk është shmangur. Ajo gjithmonë duket se ndjen peshën e përgjegjësisë për rolin e luajtur në trajektoren e Gjermanisë dhe Europës, që ritheksoi edhe të hënën. “Për shkak të detyrës time unë mbaj përgjegjësinë për gjithçka. Për sukseset dhe për dështimet”, tha ajo.

Shënim: Autorja është një gazetare politike e bazuar në Berlin, e cila në qendër të artikujve të saj ka kërcënimin që vjen nga rritja e rrymave ekstremiste në Europë.

Burimi: NBC News’ Think


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë