Kryeministria ka publikuar të mërkurën marrëveshjen e plotë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe me fokus emigracionin e paligjshëm.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij Rishi Sunak ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në tri fusha me interes të përbashkët: a) çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme (me vëmendje të posaçme te lufta kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm); b) rritja ekonomike dhe investimet; c) novacioni, rinia dhe arsimi.
Sa i përket çështjeve të sigurisë dhe emigracionin e paligjshëm, dy vendet respektive angazhohen se do të forcojnë më tej bashkëpunimin në veprimtaritë ligjzbatuese, me objektivin për të ndaluar dhe goditur migracionin e paligjshëm dhe depërtimin e rrjeteve kriminale.
Për këtë qëllim, dy qeveritë do të ngrenë një Grup të Përbashkët Pune në nivelin e Ministrisë së Brendshme /Home Office”.
Cfarë përmban grupi i punës?
“Do të forcojmë bashkëpunimin në nivel operativ midis Shqipëria dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke përfshirë, por pa u kufizuar me ndarjen efektive të të dhënave dhe krijimin e më shumë grupeve të përbashkëta operative. Kjo Skuadër e Përbashkët Pune mund të mbështetet nga një komitet ekspertësh, i përzgjedhur nga Ministria e Brendshme/Zyra e Brendshme;
Të dyja palët angazhohen se do të kenë dialog sistematik lidhur me hapat praktike që do të ndërmerren në të ardhmen;
Mbretëria e Bashkuar do t’i ofrojë mbështetje të mëtejshme qeverisë shqiptare dhe organizatave përkatëse për mbrojtjen dhe shërbimet ri-integruese për të kthyerit”.
Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar do të shtojnë numrin e personave të kthyer në Shqipëri, përfshi ata mbi moshën 18-vjeçare, që janë identifikuar nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Bashkuar si viktima të skllavërisë moderne (sipas përcaktimit në legjislacionin e MB-së) dhe si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore (sipas përcaktimit në legjislacionin shqiptar).
Këto kthime do të bëhen duke respektuar të drejtat, sigurinë dhe dinjitetin e individit, si dhe statusin e çdo procedure ligjore që lidhet me faktin që personi është viktimë, dhe preferohet qe kthimet të jenë vullnetare. Lidhur me kthimin e migrantëve të paligjshëm, të dyja palët theksojnë rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe efektiv të marrëveshjes dypalëshe të ripranimit ndërmjet dy vendeve.
Të dyja palët zotohen gjithashtu për një shkëmbim më efektiv e në mënyrë të sigurt të informacionit dhe të dhënave personale që do të mundësojnë identifikimin e saktë të personit të kthyer dhe marrjen e vendimeve lidhur me të, për të garantuar zbatimin e së drejtës ndërkombëtare, të monitorimit dhe të detyrimeve përkatëse ndërkombëtare ligjore.
Të dyja qeveritë do të monitorojnë nga afër ndikimin që do të kenë këto masa dhe zbatimi i tyre.
Raporti i parë për zbatimin e masave më sipër do të paraqitet në fund të janarit të vitit 2023, përmes një Komiteti të Përbashkët Mbikëqyrës, në nivelin e Ministrisë së Brendshme/Home Office.
Për të përmirësuar më tej monitorimin dhe mbikëqyrjen, dy qeveritë bien dakord të punojnë me Grupin e Ekspertëve për Veprim kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore (GRETA), me qëllim që të garantohet një raportim i pavarur mbi zbatimin e masave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



