Dosje

Panë filma me vrasje dhe pastaj dolën për të grabitur. Shqiptaro-britaniku nga Burreli do të rigjykohet

Gazeta Si – I vendosur në fokusin  e medias britanike vite më parë, pasi hyri si emigrant lufte nga Kosova dhe më pas kërkoi strehim si i rrezikuar nga gjakmarrja, Saliman Barçi do të rigjykohet, duke e kthyer dosjen penale në ngarkim të tij si një nga historitë më të stërgjatura midis dy gjykatave, asaj të Apelit dhe të Lartës.

Ai është një nga emrat më të lakuar në Britaninë e Madhe, pasi ka marrë shtetësi britanike dhe fitoi atje në betejën gjyqësore për të mos u ekstraduar në Shqipëri. 

Por 46-vjeçari, i cili kërkohet në Shqipëri për një masakër të vitit 1997, duhet të vijojë betejën edhe me drejtësinë shqiptare, shprehet Gjykata e Lartë, e cila i jep të drejtë gjatë rekursit se duhej bërë kujdes për mënyrën se si u zgjodh mbrojtja.

Ka qenë Gjykata e Lartë në Tiranë, e cila ktheu për rigjykim dosjen e tij, bëjnë me dije burimet e Gazetasi.al, referuar një shqyrtimi të hapur me kërkesë të Prokurorisë së Matit.

Nga gjykimi disa vjeçar, rezulton se Saliman Barçi, akuzohet për “Vrasje me paramendim” të Përparim Ibrahimit dhe Artur Gjikolës.

Por për vite me radhë, dosja është endur e zvarritur midis dy gjykatave në kryeqytetin shqiptar pa qenë në gjendje të dilet me një verdikt.

Truku i përdorur nga i dyshuari, është emri i avokatit dhe pamundësia për ta njoftuar të akuzuarin, që ndërkohë nuk gjendej në Shqipëri dhe fakti që ishte gjykuar nga një trupë, e cila kishte gjykuar edhe vrasësit e nipit të tij.

Historia vijoi me gjakmarrje, pasi të dyshuarit kryesor iu vra një kushëri nga familja e njërit prej viktimave, ku Barçi kërkoi pajtim, “tani jemi një me një, unë të kam vrarë Përparimin ti me kë vrarë Gencin”.

Gjykata e Lartë në Tiranë

Vrasje për 6 milionë lekë

Prokuroria thotë në dosje hetimore se si nisi “odiseja” e ngjarjes së para 25 vite në Burrel, ku tre shokë, dyshohet se grabitën paratë e një komune dhe më pas u grindën se si do ndahej përqindja.

“Nga aktet që ndodhen në dosje, del se më datë 18.07.1997, në orët e vona të natës, në afërsi te vendit ku ndodhet stadiumi i qytetit të Burrelit, pikërisht tek porta e këtij stadiumi, që ndodhet në hyrjen për në tribunën qendrore të tij, janë gjetur të vrarë me armë zjarri shtetasit Përparim Ibrahimi dhe Artur Gjikola, banorë të qytetit Burrel. Ditën e ngjarjes, shtetasit Përparim Ibrahimi dhe Artur Gjikola, deri në momentet që ka ndodhur ngjarja, kanë qëndruar së bashku me të pandehurin Saliman Barçi. Konkretisht, më datë 18.07.1997, rreth orës 23.00, i pandehuri ka qenë duke qëndruar tek banesa e shtetasit Përparim Ibrahimi, së bashku me shtetasin Artur Gjikola dhe Leonard Ibrahimi. Në bisedë e sipër, i pandehuri Saliman Barçi, i njohur dhe me emrin ‘Sal Barçi’, i është drejtuar viktimës Përparim Ibrahimi, duke i thënë se sonte kemi 60 milionë lekë. Menjëherë pas këtij momenti, kanë dalë nga apartamenti, ku po qëndronin shtetasi Përparim Ibrahimi, Artur Gjikola dhe i pandehuri Saliman Barçi. Në apartamentin në fjalë, ka qëndruar vetëm nipi i shtetasit Përparim Ibrahimi, shtetasi Leonard Ibrahimi. Të nesërmen në mëngjes, në afërsi të portës së hyrjes së stadiumit të qytetit të Burrelit, pikërisht tek porta që ndodhet në hyrjen për tek tribuna qendrore, janë gjetur të vrarë me armë zjarri shtetasit Përparim Ibrahimi dhe Artur Gjikola”, – thuhet në dosje.

Vazhdimisht çështja u pezullua ndër vite deri në 2009-ën, kur akuza e Matit urdhëroi rifillimin e hetimeve, duke ngritur akuzë për shqiptaro-britanikun Saliman Barçi. 

Gjykimi i mbajtur në mungesë, doli në përfundimin se i dyshuari, sipas dosjes që iu tregua Gazetasi.al, ishte përgatitur psikologjikisht dhe kishte marrë masa për të eliminuar dy shënjestrat e tij për të përfituar 60 milionë lekët e grabitura.

Gjykata, gjatë shpalljes së fajësisë thotë: “I pandehuri, pasi ka ngrënë dhe ka pirë më të dy viktimat në shtëpinë e njërit prej tyre, Përparim Ibrahimi, pasi është përgatitur psikologjikisht, duke parë video të cilat tregonin dhunë dhe gjak, kanë dalë nga shtëpia dhe kanë hipur në makinën e të pandehurit rreth orës 23.00. Pasi kanë dalë tek kryqëzimi i ‘Koliqit’, kanë parë një qytetar, i cili po lëvizte në këmbë dhe konkretisht dëshmitari I.A., të cilin e kanë futur në makinë dhe i pandehuri Saliman, ka nxjerrë pistoletën dhe ka dashur që ta vrasë, por ka qenë ndërhyrja e viktimës Përparim Ibrahimi që e ka ndaluar, duke i thënë të pandehurit Saliman, se është kushëriri im, çfarë ka bërë të mundur ndërprerjen e veprimeve të të pandehurit. Më pas, dëshmitarin e kanë zbritur nga makina tek varrezat e dëshmorëve të qytetit dhe janë kthyer në qytet”.

Saliman Barçi në një foto të 5 viteve më parë për mediat britanike

Loja gjyqësore e të dyshuarit

Pikërisht pas këtij vendimi të Shkallës së Parë, i dyshuari nis lojën gjyqësore, jo vetëm sepse u dënua në mungesë, por për më tepër se avokati që i kishte zgjedhur e motra, nuk ishte i zgjedhur prej tij.

Si argument, u përdor po ashtu fakti që në pemën familjare, i dyshuari kishte vetëm vajzën, gruan të ëmën dhe aspak të motrën.

“Në këtë mënyrë duhet që autoritetet shtetërore te merrnin te gjitha masat e nevojshme për ta informuar të pandehurin dhe vetëm nëse janë të sigurt se ai ka marrë njoftim në formën që parashikon ligji, atëherë mund të vazhdohet me procedimin në mungesë. Pra, lejohet zgjedhja e avokatit nga ana e familjarëve vetëm nëse këta të fundit shprehin vullnetin e të pandehurit, dhe jo të investohen me këtë zgjedhje nëse nuk kanë kontakte me të pandehurin….”, deklaroi në vazhdim Gjykata e Apelit të Tiranës, e cila ra dakord se ndaj të dyshuarit për dy vrasje, ishte mbajtur një proces i parregullt.

Çështja ngeci për disa vite me radhë midis Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit, ku e para urdhëronte të dytën ta gjykonte dhe kjo e fundit këmbëngulte se avokati nuk përfaqësonte dëshirën e të akuzuarit.

Dëshmitari që tregon bisedën mes të afërmit që u vra, Përparim Ibrahimit dhe Barçit, është nipi i njërit prej viktimave.

Dëshmitari pranon në atë kohë se edhe xhaxhai i tij merrej me vjedhje me armë të lekëve të Komunës Lis.

“Xhaxhai doli nga banesa dhe pas 15 minutash është kthyer me Sal Barçin, kanë biseduar muhabete të ndryshme dhe midis këtyre bisedave kam dëgjuar që Sal Barçi i ka thënë xhaxhait tim, Përparimit që do të dalim dhe ndajmë 60 000 000 lek të vjetra. Rreth orës 21:00 kam shkuar tek shtëpia e Sal Barçit dhe i kam thënë gruas së tij të më japë mish, të cilin e kishte në tavë. Unë i kam thënë këtë llaf dhe më pas ka ardhur nusja e Sal Barçit, ka sjell mish tek shtëpia e Xhaxhi Rizës, kemi ngrënë dhe rreth orës 22:00, ka vajtur Sal Braçi tek shtëpia e tij dhe ka marrë një kasetë video, ku kishte vetëm emisione për vrasje. Kam parë këtë kasetë së bashku me xhaxhain tim, Artur Gjikolën dhe Sal Barçin dhe në fund të kasetës, më ka kërkuar një elektrik dore dhe rreth orës 23:10 minuta, më ka zënë gjumi. Të nesërmen në mëngjes ka ardhur xhaxhai im në shtëpi dhe më ka thënë se kanë vrarë xhaxhain, Përparimin”.

Një Gjykatë në Britani të Madhe

Përpjekja për pajtim për të mbyllur vrasjet

Në fakt, çështja ishte pezulluar për mungesë provash, për t’u rihapur fillimisht në mars të vitit 2017 nga Prokuroria e Matit.

Të afërmit e Ibrahimit kanë deklaruar gjatë hetimit se familjari i tyre është vrarë nga Barçi dhe pak ditë pas vrasjes në shtëpinë e tyre kanë mbërritur “misionarë” për pajtimin e familjeve.

Kjo nuk arrihet dhe vëllai i Përparim Ibrahimit, vret pak më vonë nipin e Sali Barçit.

Sërish pas kësaj vrasjeje, kërkohet pajtim mes palëve në konflikt. “Unë kam vrarë Përparimin, ju më keni vrarë Gencin”, thuhet se është shprehur autori i krimit të dyfishtë, duke u rrekur të mbyllen të dyja vrasjet me Kanun.

Ndërkohë, përmes avokatit nga Irlanda, i dyshuari nga Burreli, kujton jo vetëm mënyrën se si u zgjodh mbrojtja e tij, por po ashtu se trupa gjyqësore kishte konflikt interesi.

“Ka rezultuar e provuar, se i njëjti trup gjykues që shqyrtuan çështjen penale Barçi në të njëjtën kohë dhe paralelisht, kanë shqyrtuar edhe çështjen penale në ngarkim të pandehurit Vladimir Ibrahimi, i cili akuzohet se ka vrarë shtetasin Genci Barçi, i cili është djali i vëllait të të pandehurit Saliman Barçi”.

Sipas Gjykatës britanike asokohe, nëse ai do të ekstradohej në Shqipëri, kjo situatë binte ndesh me disa nene të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut: E drejta për jetë, ndalimi i torturës dhe gjykimi i drejtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë