Gazeta Si - Një 54-vjeçare është arrestuar në Malësinë e Madhe, pasi u kap në flagrancë brenda një magazine ku kultivohej kanabis.
Gjithashtu u procedua penalisht për shkak të gjendjes shëndetësore edhe 43 vjeçarja që ishte me të dhe 4 punonjës të OSHEE-së për shpërdorim detyre.
Ato u kapën brenda një magazine të përshtatur për të kultivuar bimë narkotike, me anë të llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Me finalizimin e fazës së 10-të të operacionit policor të koduar “Qarku” u bë arrestimi në flagrancë i shtetases File Vuksani, 54 vjeçe, banuese në fshatin Jeran, Malësi e Madhe, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të gjendjes shëndetësore, për shtetasen M. V., 43 vjeçe, banuese në fshatin Jeran.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasi Ujk Vuksani, 61 vjeç (bashkëshorti i shtetases F. V.) dhe vëllai i tij, shtetasi Gjovalin Vuksani 56 vjeç (bashkëshorti i shtetases M. V.), të dy banues në fshatin Jeran, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim" dhe “Vjedhja e energjisë elektrike".
"Këta 4 shtetas dyshohet se kanë bashkëpunuar më njëri-tjetrin, për të kultivuar bimë narkotike cannabis sativa, në një magazinë në pronësi të shtetases së arrestuar F. V., në fshatin Jeran, Malësi e Madhe.
Gjatë kontrollit në ambientet e magazinës, që furnizohej me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, shërbimet e Policisë kanë gjetur 90 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të kultivuara në vazo, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 24 llamba elektrike dhe pajisje të tjera elektrike, të cilat shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, në këtë ambient, " njoftoi policia.
Në vijim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", për shtetasit:
A. S., 23 vjeç, E. B., 37 vjeç, të dy banues në fshatin Gruemirë, I.D., 50 vjeç, banues në Koplik dhe F. D., 54 vjeç, banues në fshatin Bajzë, punonjës të OSHEE Malësi e Madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.