Politike

Reagon PD: Goditja ndaj Berishës, akt kriminal i Rama & Çuçi

Partia Demokratike ka përcjellë një deklaratë zyrtare ndaj incidentit në fillim të protestës së PD-së ku Sali Berisha u godit me grusht nga një person.

“Lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha, u godit sot në mesditë ndërsa po u printe paqësisht mbështetësve të opozitës drejt një manifestimi pro-europian në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Bandat e Ramës, në qeveri dhe në rrugë, organizuan me Çuçin e Edit një akt kriminal prej frikacaku goditjen e ish-Presidentit, ish-kryeministrit dhe liderit historik të forcës së parë anti-komuniste në Shqipëri, Dr. Prof. Sali Berishës.

Nje retorikë e mbushur me sulme personale të përfaqësuesve qeveritarë, dhe të kryeministrit Edi Rama, parapriu aktin kriminal te sulmit ndaj z. Berisha.

Gjuha e ngarkuar me dhunë e ministrit të Brendshëm, kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste në pushtet, dhe kryeministrit Rama, paraprinë goditjen sot të shefit të opozitës shqiptare, si përpjekje ekstreme për të dështuar protestën e popullit opozitar. Asnjëherë më parë, që nga diktatura e Enver Hoxhës, një lider i opozitës nuk është goditur verbalisht kaq egër, dhe më pas porositur edhe sulm fizik ndaj tij”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Më tej në deklaratën e PD thuhet: “Për të kryer aktin e shëmtuar kriminal Rama & Çuçi, u zgjodh Gerti Shehu, agjent i Policisë kriminale, person problematik, me lidhje më të majtën, i cili ishte porositur të deklaronte se, me aktin e tij nuk po zbatonte porosinë e Ramës dhe Çuçit, por të një vëllau musliman, për t’i dhënë karakter islamik, si varianti më i besueshëm për audiencën ndërkombëtare.

Partia Demokratike e dënon me forcë këtë, akt i cili dëshmoi para botës fytyrën e vërtetë të rregjimit të Edi Ramës. Ky akt kërcënon paqen politike dhe sociale në vend, dhe për këte Edi Rama, ministri i tij i familjes Çuçi do të mbajnë të gjitha përgjegjësitë”.

“Çdo përpjekje për ta trembur Sali Berishën, për ta trysnuar opozitën, mbështetësit e saj dhe njerëzit e lirë, është një përllogaritje e mjerë e atyre që mendojnë se milionat e vjedhur shqiptarëve, dhe dhuna verbale dhe fizike do t’u mbyllin gojën.

Plaga në fytyrën e Doktor Berishës është maska që ra nga fytyra e Edi Ramës. Është një njollë turpi pikërisht në ditën, të cilën ai po e reklamonte si të prosperitetit, stabilitetit dhe normalitetit”, thuhet në deklaratë. Të njëjtin qëndrim mbajti në një konference të gjatë pas protestës edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë