Sali Berisha mund të zhvillojë protestën më 6 dhjetor, ditën kur në Tiranë organizohet samiti Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, por jo në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ para Kryeministrisë ashtu siç ka kërkuar. Kjo pasi kërcënohet siguria kombëtare dhe ajo publike.
Kjo është përgjigja që Policia e Tiranës i ka kthyer grupit të Sali Berishës për njoftimin që ata i kanë bërë për kërkesën.
Policia thotë se në fashën e kërkuar nga PD për të zhvilluar tubimin, aksi cilësohet perimetër sigurie nga ora 12:00 deri 16:00.
Në shkresën drejtuar përfaqësuesit të PD, policia lë të kuptohet se sugjeron zhvillimin e protestës në një vend ku nuk është përcaktuar perimetër sigurie për samitin.
Sipas policisë, perimetri i sigurisë është përcaktuar së bashku me strukturat e sigurisë të delegacioneve pjesëmarrëse në samit.
Perimetri i sigurisë i njoftuar nga policia
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në Bulevardin “Bajram Curri” përfshirë sheshin “Nënë Tereza”.
Rruga “Gjergj Filipi” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rrugova” deri tek kryqëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II”.
Rruga ” Lek Dukagjini” në gjithë gjatësinë e saj.
Rruga “Dervish Hima”, rruga “Sheh Ahmet Pazar”, rruga “Faik Konica”, rruga “Skerdilajd Llagar –
Rruga “Papa Gjon Pali II” në gjithë gjatësinë e saj, rruga Asim Zeneli, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Mustafa Matohiti”, rruga “Jul Variboba”, rruga Fatmir Haxhiu”.
Rruga “Ismail Qemali”, nga rruga e “Elbasanit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ibrahim Rrugova”.
Në konferencën e përjavshme për shtyp, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha sot se: “PD është parti e shtetit ligjor, ka njoftuar policinë. Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese kanë vendosur dhe është krejtësisht e panevojshme autorizimi nga Policia. Por ne kemi njoftuar. Cila është përgjigja është e vetëkuptueshme, ajo që i dikton Edi Rama, i cili u bëri gjithçka dhe kujtoi se me këtë rast do të shfrytëzojë samitin për të shtypur të drejtat dhe liritë e popullit opozitar. Ne e parashikuam këtë gjë, ndaj edhe thirrëm protestën.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




