Ka ndodhur

Grabitësit masakrojnë për vdekje 89-vjeçarin në Mallakastër; kujtonin se mbante shumë lekë. E kishin vjedhur edhe një javë më parë

Një i moshuar 89-vjeçar ka ndërruar jetë në spital pas dhunës së tmerrshme që përjetoi gjatë grabitjes së banesës së tij nga dy të rinj, të cilët tashmë janë arrestuar nga policia.

Ngjarja sipas policisë ka ndodhur rreth orës 02:30 të së shtunës, në fshatin Klos, Mallakastër, kur në banesën e Caush Shehajt kanë hyrë për të grabitur me automatik autorët Ervis Halimi 22 vjeç dhe Musa Gudo 28 vjeç. Sipas familjarëve të viktimës, të rinjtë kanë masakruar për vdekje Shehajn, pasi kanë kujtuar se ai mbante një shumë të madhe parash në shtëpinë e tij.

Dy nipat e viktimës, Asqeri Çela dhe Astrit Çela kanë dhënë detaje tronditëse sa i përket grabitjes së ndodhur. Ata kanë thënë se kjo nuk ishte hera e parë që i afërmi i tyre ishte grabitur. Sipas tyre, i ndjeri është grabitur edhe një herë tjetër, rreth një javë më parë, ku grabitësit i kanë marrë çiften pasi nuk kanë mundur t’i gjejnë para.

Policia njoftoi se ka proceduar penalisht edhe 16 vjeçarin F.Ç nën akuzën e ‘moskallëzimit të krimit’. Ndërsa është sekuestruar edhe arma e zjarrit tip automatik me të cilën është kryer grabitja.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Moskallëzimi i krimit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë