Lojëra me Dore

Nga rezervë në gjysmëfinale të Atp Finals, Fritz tani sfidon Gjokoviçin

Gazeta Si – E ka fituar Tejlor Fritz sfidën ndaj Feliks Auger-Aliasime dhe në gjysmëfinale të ‘Nitto Atp Finals’ në Torino shkon tenisti amerikan. Ai ishte rezervë dhe u fut mes 8 maestrove pas tërheqjes së numrit 1, Karlos Alkaraz. Tani fluturon mes 4 më të mirëve të turneut dhe kjo është një surprizë.

E ka merituar plotësisht kaliforniani kualifikimin në fund të një ndeshjeje të rivalizuar, që u mbyll 7-6, 6-7 dhe 6-2. Ndeshja u vendos në setin e tretë, pas dy ‘tie break’ dhe pa humbje shërbimi nga asnjë prej tenistëve deri në 3-2.

Nuk u luajt një ndeshje e bukur në fakt, ishte pak e mërzitshme. Deri në gejmin e 6-të të setit të 3-të u luajtën vetëm 2 topa ‘break’ dhe si për ironi të fatit, të gjithë për kanadezin, që nuk diti të përfitonte.

Tani në gjysmëfinale Fritz do të ndeshet me Novak Gjokoviçin, cili e siguroi kualifikimin që të mërkurën. Në gjysmëfinale ka kaluar edhe norvegjezi Kasper Rud, i cili do të ndeshet me njërin mes Stefanos Tsitsipas dhe Andrej Rublev. Dy të fundit luajnë sot në mbrëmje takimin direkt mes tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë