Ka ndodhur

Reshjet e shiut shkaktojnë probleme dhe mungesë energjie në qarkun e Shkodrës

Gazeta Si – Qarku i Shkodrës është përfshirë gjatë 24 orëve të fundit nga reshje intensive shiu.

Mësohet se për pasojë ka pasur rënie gurësh në aksin rrugor Prekal-Breg Lumi.

Në rrugën e Dukagjinit ka pasur rrëshqitje dherash e gurësh për të cilat do të punohet me anë të një fadrome për largimin e tyre.

Ndërkohë në Theth një natë më parë pati prurje të shumta të lumit të Shalës, por pa pasoja të rënda.

Ura që lidh fshatin Theth me Ndërlysaj nuk është dëmtuar nga reshjet, por firma qe po punon për rrugën e re atje, ka ndërhyrë, pasi do të bëjë rikonstruksionin e plotë të urës.

Në pjesën tjetër të njësive nuk raportohen dëme. Në disa zona ka pasur shkëputje të energjisë si pasojë e linjave të amortizuara.

Problematika ka pasur edhe në bashkitë e tjera të Qarkut Shkodër si Vau i Dejës, Fushë Arrëz, Malësi e Madhe dhe Pukë.

Në Fushë Arrëz është dëmtuar një banesë në fshatin Dardhë të Njësisë Administrative Blerim.

Në Bashkinë Pukë, në Qelëz është dëmtuar totalisht aksi rrugor Qelëz-Ukth, Maja e Mirgës.

Ka pasur rrëshqitje të rrugës në aksin rrugor të Kabashit, Memaj, Buhot, aksit rrugor Bicaj Blinisht Krovë.

Në Gjegjan ka pasur dëmtim në çatinë e shkollës. Në rrugët rurale ka prezencë inertesh si pasojë e shkarjeve të gurëve dhe dherave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë