Gazeta Si – Një 21-vjeçar është arrestuar në Dibër, pasi ka plagosur aksidentalisht një 15-vjeçar me armë zjarri.
Autori pas ngjarjes ka fshehur armët, ndërsa i mituri shkoi në spital për ndihmë mjekësore. Policia gjeti të fshehura në mal, 2 armë zjarri (kallashnikov dhe pushkë).
Bëhet e ditur se nga hetimet, K.V., 21 vjeç, dyshohet se ka plagosur aksidentalisht me armë zjarri 15-vjeçarin në fshatin Ceren, në njësinë administrative Kala e Dodës.
I mituri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas ngjarjes, 21-vjecari ka fshehur në një shkëmb mbi fshatin Ceren, dy armë zjarri, kallashnikov dhe pushkë, me njërën nga të cilat dyshohet se ka qëlluar si dhe një sasi municioni luftarak.
Në përfundim të veprimeve, autori i plagosjes është vënë në pranga për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasin A.L., 21 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka qenë i pranishëm gjatë ngjarjes, por nuk ka kallëzuar krimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




