Lojëra me Dore

Fitore e madhe për Gjokoviç, Australia heq pezullimin 3-vjeçar

Gazeta Si – Ish-numri 1 i botës nuk u lejua të merrte pjesë në turneun australian, sepse ishte i pavaksinuar ndaj Covid-it. Gjokoviçit iu ndalua të hynte 3 vjet në territorin australian, por tani situata ndryshon. Ministri Giles ka pohuar se ‘Nole’ mund të synojë titullin e 10-të në ‘Melbourne Park’.

Fundi i 2022-shit po sjell lajme të mira për Novak Gjokoviç. Serbi u përjashtua nga Australia, pasi u përpoq të hynte në këtë vend me një rekomandim mjekësor. Tani masa ndaj tij është hequr. Sipas ‘Channel9 News’, ministri i Emigracionit, Andrew Giles, ka vendosur që tenisti të lejohet të marrë pjesë në ‘Australian Open 2023’.

Gjokoviç, kur u ndalua në Australi. Gazeta Si, 15 nëntor 2022

Gjokoviç tentoi të hynte në Australi, ku normat anti-Covid ishin shumë të ashpra, edhe pse ishte i pavaksinuar. Ai kishte një rekomandim mjekësor që e kishte kaluar Covid-in, por u ndalua nga zyra e Emigracionit dhe u dërgua në një hotel refugjatësh. Pas 10 ditësh betejë ligjore, serbi u përjashtua nga territori australian, ku nuk mund të hynte për 3 vjet.

Së fundi, pasi fitoi në ‘Nitto Atp Finals’ ndaj Stefanos Tsitsipas, ish-numri 1 u shpreh se situata po diskutohej mes përfaqësuesve të tij ligjorë dhe zyrës së Emigracionit në Australi. Pak orë më pas erdhi lajmi se kampioni i 21 Slam-eve mund të luajë në Melburn, ku deri tani ka fituar 9 herë. Nëse fiton sërish, barazon Nadal në kuotën 22 Slam.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë