Nga Gazeta ‘SI’ – Një grua e ka duruar për një kohë të gjatë dhunën verbale dhe fizike. Kur bashkëshorti nisi të ngrejë dorë edhe ndaj fëmijëve në mënyrë shtazarake, ajo sërish ka shpresuar se diçka do të ndryshonte. Por kur 43-vjeçari nuk ka hezituar, por ka rrahur edhe fëmijën më të vogël, duke e fshikulluar në tabanin e këmbëve, ajo i ka vënë pikat martesës.
Ka kërkuar që policia të vizitojë shtëpinë e çiftit dhe të arrestojë të shoqin. Si provë bëhet me dije në fashikullin e treguar Gazetasi.al ishin shenjat në trupin e fëmijës së vogël dhe në fytyrën e saj që oficerët e përshkruan si të mbushur me gërvishtje. Gruaja, siç thotë ajo në deklaratë, e rrëmbeu telefonin pasi iu lut të shoqit, por nuk mundi t’ja heqë nga duart fëmijën.
I mituri që u dhunua nga kryefamiljari sapo kishte mbushur katër vjeç dhe veprimet e burrit janë konsideruar të patolerueshme edhe nga policia edhe nga të afërmit që kanë shtuar “çojeni në burg t’i thërrasë mendjes”.
43-vjeçari, bëjnë me dije burimet e policisë për Gazetasi.al u prangos për dhunë në familje dhe për kundërshtim të punonjësit të rendit publik, neni 130/a dhe 236/ 2 të Kodit Penal.
Burri e qëlloi fëmijën e vogël dhe më pas, sipas denoncueses po sillej agresiv me të gjithë anëtarët. Sikur të mos mjaftonte kjo, pavarësisht se e ëma i lutej që të ndalonte dhe u përpoq që t’ja hiqte nga duart , ai hoqi rripin e pantallonave. “Me këtë rrip ai e goditi fëmijën tonë tek këmbët” -tha ajo. Gruaja përmend se rastet e dhunës kur i shoqi e rrihte ishin të panumërta. “Goditi fëmijët para meje dhe nuk mund të heshtja më. Ai është i dhunshëm. Fëmija ynë qante, por nuk i bëri asnjë përshtypje. Nuk mund të them nëse ai e ka nga pija, apo është i droguar”, – është ankuar gruaja në polici.
Përse kaq shumë dhunë?
Shumica e të denoncuarve rezultojnë përdorues alkooli. Të tjerët të varur nga droga. Dhe sipas policisë nga vëzhgimi i përditshëm i dhunës në familjet kryeqytetase nuk, bëjnë përjashtim burrat që kanë dhunuar prej vitesh gratë apo prindërit. “Është e sigurt që shifra e vërtetë për dhunë në familje çdo ditë është 5 deri në 6 raste të denoncuara dhe të gjitha kallëzimet janë nga bashkëshorte”. Së fundmi policia i thotë (për dy vitet e fundit) se po konstatohet dhunë e shtuar ndaj prindërve të moshuar, nga fëmijët e tyre që ndonëse janë në moshë madhore jetojnë me ta, kërkojnë para prej tyre deri edhe telefonë dhe dhurata.
Gruaja: Djali u kthye me nerva në shtëpi
“Im bir është 30 vjeç dhe jeton me ne”, – deklaroi në polici F.L. i biri A. për tre ditë nuk kishte qenë në shtëpi. Dhe më pas si pa të keq, i pashqetësuar për alarmin që ngriti për prindërit, u kthye. “I thashë djalit se kishte qenë në shtëpi një person që ishte ankuar për të, mbasi djali ynë e kishte ofenduar. Në këto momente A. nisi të bërtasë, në dorë tentoi të rrëmbejë sopatën dhe bërtiste t’ja hapja kuzhinën. Më pas duke qenë se nuk ja hapja derën e hapi me thikë dhe më pas doli në ballkon dhe me sopatë e thikë në dorë bërtiste duke thënë “do t’ju vras të gjithëve”.
I nevrikosur i riu ka dalë në dhomën e ndjenjës dhe pa dhënë asnjë shpjegim ka thyer orenditë. Policia shkruan se djali grindavec sipas këqyrjes në vendngjarje kishte dëmtuar bravën, kishte thyer xhamin e derës në dhomën e ndenjes dhe një derë të tretë.
Djali im llastohet, donte para për ditëlindje
Një grua po i rrit me aq sakrificë fëmijët sa nuk mban mend se nëse ka bërë ndonjëherë pushime në jetën e saj. Punon në një fabrikë këpucësh dhe në një nga ditët kur u kthye në banesë u ndesh me të birin i cili ende nuk ka mbushur 20 vjeç. “Kur hyra në shtëpi djali më puthi dhe nisi të llastohet. Më pas më përqafoi dhe më kërkoi 200 euro se të nesërmen kishte ditëlindjen dhe do dilte me shokët” – kështu e nis kallëzimin për të birin gruaja nga Paskuqani. Pavarësisht se u ndje mirë nga përkëdheljet e birit, ajo iu përgjigj atij se nuk kishte aq shumë para
“Por sapo dëgjoi këto fjalë nisi të më shajë djali im nisi të më quajë prostitutë”. Gruaja kujton para policisë se u zhgënjye nga i biri të cilit pavarësisht se ishte në kushte ekonomike të vështira, përpara se të shkonte në fabrikë ajo i jepte përditë 3 mijë lekë që ai t’i pinte kafe me shokët. E pyeta “kështu i flitet mamit?”, e kujtova se punoja për ta dhe se i kisha larë sa herë borxhet” .
I biri është nervozuar akoma më shumë nga reagimi i 47 vjeçares dhe e ka shtyrë për të dalë jashtë. Këtu ajo është bindur se kishte dështuar në edukimin e tij dhe ndaj ka njoftuar bashkëshortin se po shkonte në polici. “ Por im shoq, si djali nisi të bërtasë. Dhe mbasi kreva telefonatën me policinë, u pendova dhe u ktheva në banesë. Djali më mori telefonin dhe e fiku” – rrëfen nëna e dhunuara. Pavarësisht se policia ju përgjigj telefonatës, dhe shkoi në banesën në fjalë denoncuesja ka tentuar të tërhiqet nga ankesat duke shtuar se “nuk e di nëse mund të quhet dhunë veprimi i tij që më shtyu e më nxorri jashtë”. Në fakt sipas burimeve të policisë ky veprim është konstatuar si dhunë në familje.
Por edhe të moshuarit nuk mbeten pas
Por edhe baballarët nuk mbeten pas. Një 60 vjeçar u kallëzua nga e bija bëjnë me dije burimet policore të Gazetasi.al. Kur kyefamiljari u kthye në shtëpi, ai iu lut vajzës së madhe që t’i bënte një kafe. E bija nuk i është përgjigjur.
Policia e cila ka shënuar jo vetëm rrëfimin e vajzës së dhunuar, por edhe të anëtarëve të tjerë të familjes i thotë Gazetasi.al se i nevrikosur babai e ka ofenduar të bijën. “Unë u largova nga kuzhina dhe u mbylla në dhomë. Por aty hyri babai i cili e hapi derën me forcë, filloi të debatojë, më shtyu dhe unë u përplasa ku dhe mu thyen dhëmbët” – thotë e reja. Policia shpjegon se u vu në dijeni nga anëtarja më e vogël e familjes që kur pa sulmin fizik të kryefamiljarit, nuk hezitoi por telefonoi komisariatin e Kamzës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



