Ka ndodhur

Video/ Shisnin drogë në lokale nate, 15 të arrestuar. Lënda narkotike fshihej në tavan dhe vazo

Gazeta Si – Gjithsej 31 persona janë vënë nën hetim si pjesë e një hetimi anti-drogë të koduar “Tentakulat”.

Policia e Tiranës tha se 15 persona u arrestuan dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim, pasi shisnin lëndë narkotike në klubet e natës.

Të ndaluarit e kishin fshehur lëndën narkotike nëpër vendet e dritave në tavan, në mes të pakove me sheqer, poshtë vazove të shtëpisë apo edhe në ambalazhet e çokollatave.

Të arrestuarit janë: E.H., 24 vjeç, E.H., 23 vjeç, R.M., 41 vjeç, A.M., 25 vjeç, L.H., 31 vjeç, S.M., 25 vjeç, E.K., 30 vjeç, H.K., 25 vjeç, I.E., 26 vjeç, R.K., 61 vjeç, D.Z., 22 vjeç, K.P., 25 vjeç, A.S., 45 vjeç, K.B., 23 vjeçe dhe B.K., 37 vjeç.

Nga ky operacion, u sekuestruan 745 gr kokainë e ndarë në doza, 110 gr heroinë, 1.3 kg kanabis, shuma parash, eurosh dhe dollarësh.

U sekuestruan gjithashtu 5 peshore elektronike, 25 telefona, 6 automjete, 1 motomjet dhe 1 biçikletë, që përdoreshin për shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Gjithashtu, disa prej këtyre shtetasve, siguronin lëndën narkotike kanabis dhe tentonin ta shisnin edhe në afërsi të disa shkollave në qytetin e Tiranës.

Nga këta, 15 persona janë ndaluar me urdhër të prokurorit, 2 janë në kërkim dhe 14 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Lorenc Panganika, gjatë një konference për shtyp, u shpreh se droga shpërndahej në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në lokale nate.

“Këta shtetas pasi siguronin lëndë narkotike të forta i tregtonin në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në lokale nate ndërsa knanabisin e shisnin edhe pranë gjimnazeve”, – deklaroi Panganika.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë