Nga Gazeta ‘Si’ – Këtë vit kemi blerë zarzavate nga tregjet e huaja më shumë se dy dekadat e fundit. INSTAT thotë se për nëntë muajt e parë, importi është 43% për qind më i lartë se viti 2021. Janë gati 34 mijë tonë të blera.
Në të njëjtën kohë që importuam kaq shumë, edhe eksportuam. Por për këtë ‘vakum’ ekspertët kanë disa shpjegime dhe deklarojnë që nëse situata në bujqësi vijon në këto ritme, fitimet do të vijnë duke u zvogëluar.
Ndonëse ka vijuar me ritme të larta përgjatë gjithë verës, sasia më e madhe e importit ka qenë në muajt e parë të vitit, dhe kjo sipas ekspertëve lidhet me hezitimin që kishin fermerët pas humbjeve të vitit të shkuar.
Arsyet se përse është rritur kaq shumë importi i zarzavateve sipas eskpertëve lidhet kryesisht me të gjithë krizën që ka përfshirë bujqësinë shqiptare këtë vit.
“Ka disa arsye se përse importi i tyre është në shifra aq të larta. Fillimisht ndryshimi i paketës fiskale për mosrimbursimin e TVSH për prodhimet e fermerëve. Ishte 20% , u reduktua në vitin 2018 në 6% dhe në vitin 2021 në 0%.
Ndërsa qendrave të grumbullimit për prodhimet e fermerëve me zero TVSH rimbursim u duhet të paguajnë 20%. Kjo politikë fiskale detyroi qendrat e grumbullimit t’i drejtohen importit ku për të njëjtët mallra si ato që merrnin nga fermerët u rimbursohet TVSH 20%. U reduktua kërkesa për prodhimet e fermerëve shqiptarë”, shpjegon Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar për Gazetasi.al.
Mandej, Rrapaj shpjegon se çmimet e lëndëve të para dhe inputeve u rritën sëbashku me koston gjë që nuk e bënte aq të leverdisshme mbjelljen e tyre në Shqipëri.
“Faktor tjetër i rëndësishëm është dhe subvencioni. Subvencionet janë më të ulëta se sa të njëjtat prodhime që vijnë nga importi.
Fermeri nuk ka treg për këto prodhime dhe nuk kultivon më shumëllojshmërinë e prodhimeve që kultivonte me parë. Gjithashtu prodhimet nuk certifikohen, nuk standartizohen dhe pavarësisht cilësisë së mirë që kanë, nuk vlerësohen në çmim”, vijon mandej ai për Gazetasi.al.
Ndërsa Eduart Sharka, kreu në detyrë i Shoqatës së Fermerëve, thotë për Gazetasi.al se largimi i fermerëve në emigrim dhe rënia e prodhimit në sera janë faktorë të tjerë që kanë ndikuar.
“Në muajt e parë të pranverës, atëherë kur ne importuam më shumë, fermerët shqiptarë hezituan të mbillnin në sezonin e parë për shkak të humbjeve që pësuan me mbjelljet e vitit të shkuar. 20% e serave janë braktisur këtë vit pasi punëtorët po largohen për të punuar në serat e Siçilisë apo Kretës.
Në një hark kohor prej 4 vitesh ne nuk do të kemi më produkte bujqësore. Fermerët sot janë kthyer në skllevër modernë të cilëve shoqëria mundin po ua merr dhe po ua konsumon ndërsa ata nuk po marrin mbrapsht shpërblimin për punën e kryer, ndaj dhe po rrisim kaq shumë importet”, thotë ai.
Më tej Sharka shton se deficiti tregtar është rritur dhe ky është një sinjalizues i qartë i rënies së bujqësisë.
Aktualisht Shqipëria eksporton zarzavate në 26 vende. Vendet ku eksporton më shumë janë kryesisht vendet e afërta të Shqipërisë si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Italia e Kroacia.
Serbia rezulton të jetë këtë vit destinacioni me rritjen më të madhe të eksporteve shqiptare të zarzavateve duke arritur në muajin maj në 856 milionë lekë.
Zarzavatet shqiptare shkojnë gjithashtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Ukrainë apo edhe në ish Republikat Sovjetike ku duket se zarzavatet shqiptare kanë rigjetur rrugën e dikurshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.