Lojëra me Dore

Surpriza Rune! Përmbys Gjokoviçin në finale dhe triumfon në Paris

Gazeta Si – “Një gjeneratë e re kampionësh po lind. Alkaraz, Rune, unë. Jemi të gjithë të rinj”. Janë fjalët e Novak Gjokoviç para finales të Bercy në Paris. Me humor ai komentoi momentin aktual në tenis, ku në tavolinën e të mëdhenjve është prezantuar tashmë edhe Holger Rune.

Jo si kampion i shumëfishtë Slam-esh, por si fitues i turneut të Parisit, që është edhe arritja më e madhe në karrierë për 19-vjeçarin. Danezi mundi me përmbysje Gjokoviçin në finale, 3-6, 6-3 dhe 7-5. Një ditë historike për cirkuitin Atp, që me renditjen e përditësuar do të ketë dy tenistë të datëlindjes 2003, – Rune dhe Alkaraz, – në ‘Top 10’.

Seti i parë zgjati pak, 36 minuta, dhe u dominua nga serbi. Më pas danezi gjeti motivimin dhe qetësinë e duhur për të përmbysur gjithçka dhe për të fituar trofeun.

Vetëm 19 vjeç, Rune bëhet kampioni më i ri i ‘Rolex Paris Masters’ që nga koha e Boris Bekerit në 1986-ën (18 vjeç). Holger Rune është gjithashtu i pari që mund 5 lojtarë të ‘Top 10’ në të njëjtin turne. Është edhe danezi i parë që hyn në 10-shen më të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë