Gazeta Si – Reshjet e dendura dhe të vazhdueshme të shiut që kanë rënë gjatë gjithë natës, kanë shkaktuar përmbytje në Durrës.
Në disa zona të qytetit, ka pasur vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve këtë të shtunë në mëngjes.
Situata paraqitet më problematike në rrugë dhe kryqëzimin e lagjes nr.18, pranë stadiumit “Niko Dovana” të qytetit.
E njëjtë paraqitet situata dhe në disa rrugë dytësore në lagjet periferike. Edhe sistemi i kanalizimeve ka dalë jashtë funksionit dhe rrugët janë përmbytur.
Moti i keq ka shkaktuar problematika edhe në Vlorë ku lundrimi për mjetet e peshkimit dhe mjetet e vogla janë pezulluar deri në një njoftim të dytë.
Ndërkohë edhe në Sarandë tragetet e linjës Sarandë – Korfuz dhe anasjelltas nuk janë lejuar të qarkullojnë.
Edhe anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla janë njoftuar që të mos dalin në lundrim, njofton kapiteneria Sarandë.
Pavarësisht problemeve me përmbytjet, nisja e reshjeve mund të konsiderohet si shenjë shprese për qytetarët shqiptarë, në kushtet kur Enti Rregullator i Energjisë vendosi shtrenjtimin e faturës mbi fashën 800 kilovat.
Qeveria ka thënë se tarifat aplikohen pas javës së parë të nëntorit dhe se gjithçka do të varet nga reshjet dhe niveli i prurjeve të ujit në Fierzë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




