Lojëra me Dore

Mbretëresha Shviatek në gjysmëfinale të ‘WTA Finals’, eliminohet Gauf

Gazeta Si – Karolin Garsia pritej të ishte kundërshtarja më e fortë për Iga Shviatek në fazën e grupeve të ‘WTA Finals’ në Teksas, por nuk ishte kështu. Dominimi i polakes ishte absolut. Ajo fitoi 6-3 dhe 6-2 një ndeshje që praktikisht nuk ishte ndeshje dhe fluturoi në gjysmëfinale.

Shviatek gjate ndeshjes ndaj Garsias. Gazeta Si, 4 nentor 2022

Në tenisin e femrave ka tashmë një ‘diktatore’, që humb shumë rrallë dhe kjo ndodh vetëm në ndonjë ditë të keqe të saj, për shkak të lodhjes fizike e mentale. Ajo që po shohim në 2022-shin, pas tërheqjes së kampiones tjetër Ashlei Barti, është një dominim absolut i Shviatek. Dhe është vetëm 21 vjeç.

Ndeshja e fundit me Garsian ishte e kundërta e saj që është parë në shumë sfida mes tyre, e fundit në Varshavë, ku francezja arriti më të mirën. Numri 1 në botë ishte e papërmbajtshme, duke e mposhtur kundërshtaren në lojë dhe rezultat. Polakja e çmontoi taktikisht atë në pak minuta.

Shviatek të dielën do të ndeshet me Sakarin në gjysmëfinale. Do të jetë gjysmëfinalja e 11-të sezonale për të në 17 turne të luajtur, me bilancin 9 fitore dhe 2 humbje.

Do luajë si lidere e grupit të saj, duke parë që Daria Kasatkina mundi Kori Gauf 7-6 dhe 6-3. Kasatkina eliminoi amerikanen dhe fitoi të drejtën e ndeshjes shtesë me Garsian të shtunën. Gauf është zhgënjimi i madh i turneut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë