Fëmijët dhe të rinjtë, natën, shkojnë shtëpi më shtëpi të katundit, të veshur me rroba shumëngjyrëshe dhe me maska në fytyrë këndojnë “Edhe moti me shëndet, llazore,Na gjeçin gëzuar, llazore,Me djemkat martuar, llazore,Djal’ e çupë në shtëpi, llazore”, e në fund marrin vezët e kuqe që ua jep e zonja e shtëpisë. Kjo panoramë e Shqipërisë së fillim viteve ’20, duket si kremtimet e sotme të “Halloween”-it, festës që thuhet se e pati origjinën në kulturën kelte e u importua prej emigrantëve irlandezë drejt “botës së re”, tashmë e tregtuar dhe përqafuar thuajse në çdo kënd të botës. Por Llazoret apo ringjallja e Shën Lazrit, megjithëse kremtojnë shpirtrat e të vdekurve, me maska e kostume që i bënin njerëzit të mos dalloheshin dhe festa me traditë të krishterë të dyja, festohet në një datë të ndryshme me 31 tetorin, më 25 prill, si dita që katolikët e njohin si dita e Shën Lazrit, por që kujtohet e kremtohej dhe këndoheshin llazoret edhe në lagjet ortodokse në Korçë.
Në një artikull të 16 prillit të vitit 1927, në “Zëri i Korçës” shkruhej: “Brenda kësaj jave dalin grupe zonjash të vobekta shtëpi më shtëpi, dyqan më dyqan dhe këndojnë llazoret. Llazoreve u jepen sende, ushqime, të holla dhe të tjera. Sot e kanë ditën e fundit, nuk vijnë rrotull më. Njëra nga grupi i llazoreve mban një nuskë në gjoks të bërë prej basmash. Nuska është një kleçkë e mbuluar me pëlhurë; mbi të kanë ngjitur një kulaçkë basmaje në të cilën kanë qënddisur sytë, gojën, hundën etj. Nga fundi i kanë veshur fustan e të tjera zbukurime. Është pothuajse 30 pond e gjatë.” Riti quhej ndryshe edhe “Kalimerja e Laxarit” një motiv, që sipas profesor Agron Xhagollit , në një artikull të tij mbi elementin biblik në këngët popullore shqiptare, njihej në Shqipëri, por edhe tek arvanitasit në Greqi dhe arbëreshët në Itali.
Llazoret ishin ato festime që në fjalorin e festave u njohën si karnavale. Këtë e pohon edhe historiani Sokol Çunga. “Kemi festa për shpirtrat, por jo me kunguj e maska. Kemi karnavalet si diçka e ngjashme, por ato janë të lëvizshme, ndërsa Halloween është festë e caktuar, e palëvizzhme në kalendar”. Sipas Çungës, Llazoret nuk kanë shumë të bëjnë me Halloween-in dhe sipas tij, Ballkani, as ai osman, para-osman apo pas-oman, nuk e ka festuar ndonjëherë. “Nuk ka traditë vendase. Është komercializëm i pastër.” Por në traditën shqiptare, në legjendat e gojëdhënat i është kushtuar gjithnjë vend i veçantë të vdekurve dhe ringjalljes së tyre. Në artikullin e tij profesor Xhagolli do të shkruante se “Nëse për literaturën biblike rasti më tipik është ringjallja e Krishtit, në folklorin shqiptar ringjalljen, në forma të ndryshme, e gjejmë në disa lloje të këngëve folklorike.”Fëmijë të maskuar, me shporta në duar, që trokasin portë më portë, me pyetjen “trick or treat” (rreng apo ëmbëlsirë), janë aq popullorë në festën e Halloween-it, që bota e kremton çdo vit në të njëjtën ditë, 31 tetor.
Megjithëse thuhet se e ka origjinën tek festimet kelte të të korrave e njohur si ‘Samhain’, me rrënjë pagane, kjo ditë më pas u kristianizua duke u shndërruar në Halloween apo siç njihet në kalendarin katolik të festimeve si “Dita e të Gjithë Shenjtëve”.Përveç trokitjes nëpër dyert e shtëpisë ( ashtu si llazoret shqiptare) aktivitetet e parapëlqyera në festën e Halloween-it janë veshja me kostume dhe maska, gdhendja e kungujve në fenerë, rrengjet, vizitat në atraksione të nëmura ku jetojnë fantazma, rrëfimi i historive të frikshme dhe ndjekja e filmave horror. Shumë festa në botë, përfshijnë mesha në kishë dhe ndezjen e qirinjve, në varret e të vdekurve. Megjithëse tashmë duket se e ka humbur krejt traditën duke u shndërruar në një festë komerciale dhe laike.Festa e të Gjithë Shenjtorëve, më 31 tetor, është pjesë e një trinie festash, që vijon me 1 dhe 2 nëntor e që përkujton të vdekurit, shenjtët dhe martirët.
31 tetori është edhe fillimi i festimeve një javore të Ditë së të Vdekurve apo siç e quajnë ata në gjuhën vendase Día de Muertos; një festë meksikane e festuar në Meksikë, veçanërisht në krahinat qendrore dhe jugore dhe nga meksikanët të shpërndarë në vende të ndryshme të botës. Ky festival disa ditor mbledh miq dhe familjarë që luten dhe përkujtojnë miqtë dhe anëtarët e familjes që kanë vdekur. Më 2008-ën , ky kremtim kyri në trashëgiminë botërore të UNESCO-s.Por përpara kolonizimit spanjoll në shekullin e 16-të kjo festë që kremtohej në fillim të verës, gradualisht nisi të identifikohet me 31 tetorin, 1 nëntorin dhe 2 nëntorin për të përkuar me tri festat e Krishterimit Perëndimor të Allhallowtide: Nata e të gjithë Shenjtëve, Dita e të Gjithë Shenjtëve dhe Dita e të Gjithë shpirtrave. Traditat meksikane të lidhura me këto festime përfshijnë ndërtimin e altarëve të quajtura “ofrendas” që nderojnë të ndjerët duke përdorur kafka, kumakë aztekë dhe ushqimet dhe pijet e parapëlqyera të të vdekurve dhe duke vizituar varret me këto dhurata. Vizitorët gjithashtu lënë sendet e të vdekurve buzë varrit. Ata veshin rrobat e të vdekurve dhe i ftojnë shpirtrat të kthehen edhe njëherë në shtëpinë e tyre.
Studiuesit e kanë gjurmuar origjinën e këtij festimi meksikan tek indigjenët në festimet azteke të kushtuara perëndeshës Mictecacihuatl. Festimi u përhap në të gjithë botën, si një traditë në nderim të të vdekurve. Kisha e refuzoi si festë e lidhur me elementë paganë. Ata kremtonin ditën tradicionale të të gjithë shenjtëve. Dita e të Vdekurve u kthye në festë zyrtare nga qeveria meksikane më 1960. Edhe tradita spanjolle, përfshin festime dhe parada si edhe mbledhje të familjeve në varreza për t’u lutur për të dashurit e tyre të vdekur në fund të ditës. Festimet i kushtohen perëndeshës së njohur si “Zonja e të vdekurve”, që përkon me modernen “Skeleti Katrina”. Megjithëse Dita e të Vdekurve përkon me Halloween dhe duket e ngjashme, me kostume, maska, skelete dhe ëmbëlsira, varreza dhe imazhe vdekjeje, në thelb janë të ndryshme; e para nderon të vdekurit, ndërsa e dyta është kthyer në një festë ku mbretërojnë maskat dhe historitë e frikshme.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Halloween nisi të të bëhet popullor pas emigrimit masiv irlandez dhe skocez në shekullin e 19-të. Më pas u asimilua nga shoqëria dhe, nga dekada e parë e shekullit të 20, u kthye në festë masive. Parada e përvitshme e Halloween-it, në Nju Jork, nisi më 1974-ën dhe sot marrin pjesë më shumë 60 mijë pjesëmarrës të maskuar, dy milionë spektator dhe me një audiencë televizive në të gjithë botën prej 100 milionë shikuesish. Përkujtimi i të gjithë shenjtorëve dhe martirëve është mbajtur nga kisha të ndryshme në data të ndryshme. Më 609-ën, Papa Bonifaci i IV i kushtoi panteonin e Romës “Shën Marisë dhe të gjithë martirëve”, më 13 maj. E njëjta ditë me “Lemurian”, festa antike romake e të vdekurve, e njëjta ditë e përkujtimit të të gjithë shenjtorëve në Edesa në kohët e Efremit.
E atribuuar si festë e të korrave, në origjinën e saj kelte, shumë i gjejnë ngjashmëritë e Halloween-it në mitologji, në legjendën e Persefonit, e bija e perëndeshës Dhimitra dhe bashkëshortja e Hadit. E rrëmbyer prej këtij të fundit, pa dëshirën e saj, Persefoni është e shtrënguar ta kalojë jetën në botën e të vdekurve. Me ndërhyrjen e së ëmës dhe me konsultën e Zeusit, Hadi bie dakord, vetëm pasi e bindi Persefonin të hante katër kokrra shegë, që ishte edhe garancia e tij se ajo do të ishte e detyruar të kthehej gjithnjë në botën e të vdekurve, e la atë të ngjiten në botën e të gjallëve.
Miti i Persefonit lidhet me mbërritjen e pranverës dhe të dimrit. Kur Persefoni del mbi dhe, do të thotë se ka ardhur pranvera. Kur zbret në Had, është dimër. Rrëmbimi dhe shfaqja e Persefonit ka qenë rast i festimeve të mëdha në Greqinë antike. Disa studiues besojnë se ritet apo misteret ushqyen idenë se ka një jetë më të përsosur pas vdekjes, që ndihmoi në hedhjen e themeleve të Krishterimit, që mban idenë e jetës së përjetshme. “Persefoni lidhet me ndryshimin e stinëve. Zbritja e saj në Had korrespondon me muajin shtator, jo fund tetori”, saktëson historiani Sokol Çunga.
Pasi këndonin “Edhe moti me shëndet, llazore,Na gjeçin gëzuar, llazore,Me djemkat martuar, llazore,Djal’ e çupë në shtëpi, llazore”, ata që merrnin pjesë në festimet e 25 prillit, në dyert e shtëpive korçare ku trokisnin, shkruhet në artikullit “Zëri i Korçës” të vitit 1927, pyesin për për emrat e të zotëve të shtëpisë dhe i këndojnë çdo emri, ose këndojnë File trendafiliko/, Jar e margarito.Po të jetë se i zoti i shtëpisë dëshiron këngë të tjera, zënë këndojnë gjithë farët e këngëve popullore dhe kombëtare të reja. Në rast se shtëpia e vizituar mban zi, nuk këndojnë llazoret. Kënga e llazoreve përsëritet shumë herë sa të mërzit. Megjithatë populli është mësuar dhe i pëlqen hope-hope që të merret me sende të jashtëzakonshme.
Në trokitje të dimrit apo në çelje të pranverës, për stinët a për shenjtët, për të vdekurit a të gjallët, do të ketë gjithnjë rast për të kremtuar. Edhe në një festë si Halloween-i, që ndoshta pak mund t’ia dinë kuptimin përtej kungujve me pamje të frikshme që ndrijnë prej qirinjve në ta apo maskave me fantazma, shtriga e superheronj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.