Gazeta Si – Familja e një tregtari në Lushnjë dhe një familje me origjinë nga Kukësi e vendosur në Fushë Krujë, morën mbrëmjen e së martës mesazh kërcënues me tritol në derë të shtëpive ku jetojnë. Në të dy rastet, autorët janë të lirë dhe motivet mbeten të paqarta.
Fillimisht një shpërthim i fuqishëm u regjistrua në lagjen “18 Nëntori” në një automjet në Lushnjë.
Lënda plasëse ishte vendosur në makinën e parkuar në oborrin e shtëpisë së Altin Lamçes, tregtar shumice në tregun e fruta-perimeve.
Në momentin e shpërthimit në banesë kanë qenë 5 pjesëtarët e familjes. Nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale.
Mësohet se banesa në të cilën banon Lamçe është në pronësi të kunatit të tij, Arben Turku, i cili jeton prej vitesh në Angli.
Disa minuta më vonë, një sasi eksplozivi që mendohet se ka qenë tritol, ka shpërthyer në oborrin e banesës në fshatin Zall në Fushë Krujë.
Nga informacionet e para mësohet se shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po merr në pyetje familjarët.
“Rreth orës 22:40, në lagjen “Magaze”, Fushë Krujë, në oborrin e banesës së shtetasit M. B., 54 vjeç, ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lëndë plasëse, duke shkaktuar dëme të vogla materiale”, – njoftoi policia.
Mësohet se tritoli ka shpërthyer në oborrin e pasëm të banesës së familjes Baftjari me origjinë nga Kukësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




